TIRANE, 17 maj 2013– Kryetari i LSI-së, Ilir Meta u takua me përfaqesuese të forumit të grave të LSI në njësinë nr 1 në Tiranë ku kerkoi mbeshtetjen e tyre per kandidaten Klajda Gjoshaj.  

"LSI jep një prioritet të veçantë si asnjë parti tjetër, pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në jetën politike. Sepse pjesëmarrja në rritje vajzave dhe grave në jetën politike është garanci kryesore për përfaqësimin e denjë dhe të duhur në shoqëri, në familje në të gjithë jetën ekonomike, shoqërore të vajzave dhe të grave në të gjithë vendin. Ju keni nevojë për një deputete e cila të jetojë me shqetësimet tuaja, e cila të kujdeset çdo ditë për hallet dhe për problemet tuaja. Jam i bindur se Klajda, do ta përfaqësojë me shumë dinjitet dhe përkushtim njësinë një në Kuvendin e ardhshëm", tha Ilir Meta në mitigun e LSI.

 

Rama në Fier: Saliu mbushi sheshin me robër, merren zvarrë për qokat e pushtetit

“Saliu erdhi para ca ditësh dhe e mbushi sheshin me robër. Ne sot erdhëm këtu dhe sheshi është mbushur me qytetarë, me të cilët më 23 Qershor do të çlirojmë dhe robërit e Qeverisë. Që të mos ketë më mësues, mjekë, nëpunës shteti që merren zvarrë për qokat e pushtetit. Mos ketë rrogëtarë që tremben nga ky pushtet”. Kështu deklaroi kreu opozitar Edi Rama, ndërsa prezantoi kandidatët për deputetë në qarkun e Fierit.

Kryesocialisti i'u referua hapjes që iu bë para pak ditësh fushatës së kundërshtarit politik në këtë qark, ku sipas tij, Berisha mbushi sheshin plot me njerëz të marrë rob.

Ndërsa Fatmir Mediu gjatë një takimi me drejtues të shoqatave të pronarëve,  tha se do të mbështesë kthimin dhe kompensimin e pronës. 

"Partia Republikane ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë në mënyrë konsistente dhe konseguente së pari kthimin pa vonesë të pronës tek pronari i ligjshëm. Së dyti, rishikimin e ligjeve mbi pronën, bazuar në praktikat e gjykatës së Strasburgut dhe standardeve evropiane. Së treti, mendoj që ka ardhur kohë ti dërgojmë një kërkesë Komisionit Evropian për të prurë ekspertë për të vlerësuar legjislacionin mbi pronat dhe zgjidhjen e tyre konform standardeve evropiane dhe vendimet e gjykatës së Strasburgut", tha Mediu.

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ka qenë në Berat ku ka theksuar se motoja e kësaj partie është një gjuhë, një kulturë, një komb, një të ardhme.

"Shqiptarët sot duan dhe meritojnë politika punësimi të barabarta dhe mundësi të reja zhvillimi.Investime në infrastrukturë pa bërë diferencime krahinash apo bindjesh politike, siç ndodh pikërisht edhe këtu në Berat. Të gjithë jemi shqiptarë, para se të jemi të majtë e të djathtë. Motoja jonë është një gjuhë, një kulturë, një komb, një të ardhme, sepse ne e duam dhe e themi me gojën plotë, ne e duam Shqipërinë të bashkuar", tha Shpëtim Idrizi, në takimin e PDIU në Berat.