DURRES, 17 maj 2013– Pas arritjes së objektivit, durrsakët po bëjnë pushime të qeta. Të gjithë lojtarët jabanxhinj janë kthyer në qytetet e tyre, ndërsa vendësit kanë preferuar që një pjesë t’i kalojnë jashtë Durrësit, dhe pjesa tjetër jashtë vendit. Mesfushori Alfred Deliallisi komenton për “Panorama Sport” ecurinë e tij me Teutën, të ardhmen, por edhe për ekipin kombëtar Shpresa, i cili nis eliminatoret më datë 7 qershor.
“Kemi zhvilluar një sezon të mirë. Jam i kënaqur për paraqitjen e skuadrës, por edhe timen kur kam pasur mundësinë për të qenë në fushë. Ka qenë një sezon i mirë për mua, pasi falë paraqitjeve të mia me skuadrën e Teutës jam bërë pjesë e skuadrës kombëtare U-21. Kjo është një arritje shumë e madhe për mua, por unë nuk do të ndaloj këtu, pasi do të kërkoj të shkoj më lart, pse jo edhe tek ekipi kombëtar. Por, si fillim më duhet të luaj më tepër me skuadrën e Teutës dhe kam besim se sezonin e ardhshëm do të kem më shumë hapësira. Skuadra prej disa ditësh ka marrë pushimet dhe kthehet në ambientet stërvitore më datë 3 qershor”, – tha fillimisht Deliallisi.
Kombëtarja
Duke vijuar më tej, mesfushori i kombëtares ka bërë edhe një rezyme të përgjithshme dhe ka dhënë mendimin e tij mbi shanset që skuadra e tij ka për kualifikim, mes një grupi shumë të fortë, i cili kryesohet nga Spanja.
“Unë po vazhdoj të stërvitem me të njëjtin intensitet, pasi shumë do të nisin eliminatoret e kampionatin europian për ‘Under 21′ dhe duhet të jem gati për ndeshjen e parë. Grupi është mjaft i fortë, pasi bëjnë pjesë skuadra shumë të mira, si: Spanja, Hungaria, Bosnja dhe Austria. Por, nga ana tjetër, edhe skuadra jonë është përmirësuar ndjeshëm dhe kemi besim se do të zhvillojmë eliminatoret më të mira që kombëtarja ka zhvilluar ndonjëherë. Kemi zhvilluar ndeshje të mirë me rivalë shumë të fortë dhe kemi fituar eksperiencën e duhur për ta përballuar me sukses, e, ndonëse do të jetë e vështirë, ne shpresojmë te një kualifikim i mundshëm. Shpresojmë ta nisim mbarë, duke fituar ndeshjen e parë, të cilën do ta luajmë në shtëpinë tonë kundër Hungarisë”.
/l.m. Panorama/





