TIRANË, 17 maj 2013– Mediet e Moskës kanë raportuar se Tirana hoqi në mënyrë të njëanshme regjimin e vizave për rusët në periudhën 25 maj deri më 25 shtator 2013.

Më 15 maj 2013 Këshilli i Ministrave i Shqipërisë miratoi Vendimin për miratimin e listës së shteteve, shtetasit e të cilave hyjnë pa vizë në Republikën e Shqipërisë për periudhën 25 maj deri më 25 shtator 2013.

Sipas Vendimit, në listën e shteteve, shtetasit e të cilave hyjnë pa vizë në Republikën e Shqipërisë, me dokumentin pasaportë, bëjnë pjesë Rusia; Kuvajti; Katari; Emiratet e Bashkuara Arabe; Arabia Saudite; Bahreini.

Sajti rusishtfolës “albania-news.ru”, që boton dhe tekstin origjinal të vendimit, shkruan se “është i pesti vit radhazi që Shqipëria heq në mënyrë të njëanshme regjimin e vizave për shtetasit e Rusisë” dhe se “në saje të këtij regjimi, që është përparësi për shtetasit rusë, fluksi i turistëve, që shkojnë në Shqipëri po rritet dukshëm nga viti në vit”.

Por sajti tjetër “gazeta.ru” thotë të kundërtën: “Edhe vitet e kaluara Shqipëria ka hequr vizat në sezonin veror për shtetasit e Federatës Ruse dhe vendeve të tjera, por kjo nuk çuar në rritjen e numrit të rusëve që vizitojnë” këtë vend!

Gjithsesi, në qytetin e Durrësit turistët nga vendi i Ariut po vijnë gjithnjë e më dendur, madje, shumë rusë kanë blerë prona të paluajtshme në bregdet.

Gazetarë apo udhëtarë nga Moska kanë bërë fotografi të bukura dhe kanë shkruar me simpati për Durrësin, si një “Romë ballkanike”

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/