Ministri i Arsimit: Po verifikojmë rastin e Fierit
DURRËS, 17 maj 2013– Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ende ka një qëndrim zyrtar mbi përfshirjen e detyruar të mësuesve të shkollave në aktivitetet politike të Partisë Demokratike. I pyetur në lidhje me letrën elektronike që Drejtoria Arsimore Fier i drejtonte të gjitha shkollave për të siguruar pjesëmarrjen e tyre dhe të stafeve pedagogjike në mitingun e çeljes së fushatës, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj u përpoq të shmangë komunikimin me publikun përmes medias mbi këtë çështje. Pas insistimit, ai sqaroi se rasti i Fierit do të verifikohet më parë dhe vetëm pas kësaj do të dilet me një qëndrim zyrtar të Ministrisë.
Deri në atë moment nuk do të ketë asnjë koment nga z.Tafaj i cili paraditen e së premtes mori pjesë në seminarin "Forcimi i Lidhjeve të Biznesit me Universitetin", që u organizua në sallën e Konferencave të Universitetit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit. Seminari me drejtues dhe pedagogë të universiteteve publike dhe private në vend u organizua nga zyra e programit “TEMPUS” Tiranë.
Pavarësisht deklaratave të kryeministrit dhe liderit të mazhorancës Sali Berisha për mospërdorjen e administratës dhe mjeteve shtetërore për fushatë, realiteti është i ndryshëm. Ishte deputeti socialist Ervin Koçi që bëri publik përmes rrjetit social “Facebook” e-mailin e dërguar nga Drejtoria Arsimore e Fierit. Përmes tij ky organ drejtues i arsimit në rang rajoni urdhëronte drejtuesit e shkollave të siguronin pjesëmarrjen jo vetëm personale në mitingun e PD-së, por edhe atë të stafit të tyre.
“Nesër, ditën e mërkurë, data 15 maj, ora 18.30, në sheshin përballë universitetit Kristal në Fier organizohet hapja e fushatës elektorale të Partisë Demokratike. Drejtorët e shkollave të sigurojnë pjesëmarrjen në këtë miting së bashku me stafin e tyre. Brenda ditës së sotme konfirmoni marrjen e këtij e-maili dhe pjesëmarrjen.” – thuhet në e-mail e dërguar nga adresa elektronike: Drejtoria Arsimore Fier [email protected].
/v.q. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





