DURRES, 17 maj 2013– Për herë të parë të gjithë emigrantët shqiptarë por dhe turistë të huaj, të cilët do të kalojnë nëpërmjet pikës kufitare të portit të Durrësit, do të kenë edhe një pikë informacioni turistik.

E vendosur në terminalin e pasagjerëve, agjencia turistike e dyta pas Rinasit, do t'i ofrojë të interesuarve informacionet e duhura mbi zonat turistike të vendit tonë.

Projekti financohet nga ministria e  Turizmit dhe Ambasada Turke në Tiranë në kuadër të projektit TIKA. I pranishëm në përurimin e kësaj qendre informacioni ministri i Turizmit Visar Zhiti, deklaroi se hapja e kësaj qendre, ndikon në promovimin e turizmit shqiptar por edhe në rritjen e numrit të pushuesve. Ambasadori turk në Tiranë, Ahmet H. Asan, ofroi mbështjetjen e qeverisë turke në të gjitha projektet që qeveria shqiptare ka për turizmin.

Agjencia turistike ofron teknologjinë më të fundit sic janë touchscreen nga të cilët turistët do të kenë mundësi të marrin informacione për qytetet të ndryshme të Shqipërisë, në drejtim të akomodimit por edhe vendeve turistike. Gjithashtu në këtë agjenci të gjithë të interesuarit do të gjejnë botime të disa broshurave dhe hartave turistike, të cilat do t'u shpërndahen falas.

Agjencia Turke për bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) e varur direkt nga kryeministria e Republikës së Turqisë ka 26 zyra koordinimi në 23 vende të ndryshme të botës.

TIKA, që në vitin 1992 operon në Shqipëri, ndërkohë që zyrtarisht zyra e koordinimit në Tiranë është hapur në vitin 1996. Pra prej më shumë se 16 vitesh TIKA kontribuon me projektet e saj në zhvillimin dhe ngritje kapacitetesh në Shqipëri.

Sektoret ku ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë TIKA janë janë sektoret e ekonomisë, tregtare, teknike, sociale, kulturore etj.

/e.a. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/