DURRES, 17 maj 2013– "Forcimi i lidhjeve të biznesit me universitetin", ka qenë kjo tema e konferencës e zhvilluar në universitetin "Aleksandër Moisiu' në Durrës, në bashkëpunim me zyrën e programit Tempus.

I pranishëm në zhvillimin e kësaj konference ka qenë edhe zv/kryeministri, njëherësh dhe ministër i Arsimit Myqerem Tafaj.

Në fjalën e tij z/kryeministri Tafaj është shprehur se qeveria shqiptare i ka dhënë prioritet arsimit profesional që është baza për të ardhmen, ndërsa një rëndësi të veçantë marrin studentët që përfundojnë diplomat pas-sekondare të punësohen dhe të transferohen në fusha të afërta me prioritetet e këtyre diplomave. 

Studimet post-sekondare janë një mundësi shumë e mirë edhe për nxënësit që kanë përfunduar shkollat profesionale. 

Tafaj kërkoi që të merren në konsideratë dhe të organizohen lidhje të ngushta me biznesin, duke ofruar në bordet e universiteteve dhe fakulteteve përfaqësues të biznesit në mënyrë që ata të jenë hartues të kurrikulave si dhe të jenë edhe pedagogë të jashtëm në programe të ndryshme.

Të pranishëm në konferencën e radhës kanë qenë studentë, pedagogë të universitëtit si dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme që operojnë në Durrës e Tiranë.

/e.a. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/