KRUJË, 17 maj 2013– Ditën e sotme më datë 17.05.2013, gjatë një ndërhyrje të realizuar në kohë nga ana e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, u arrit të parandalohet një krim i mundshëm brenda familjes.
Në orën 02.00 u realizua kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Besnik Hushi, 50 vjeç, banues në Halil, Fushë Krujë.
Sipas policisë shtetasi në fjalë, rreth orës 23.00 të ditës së djeshme, ka shkuar në banesën e tij në fshatin Halil ku ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike si dhe ka kanosur me armë zjarri familjarët e tij. Ai ka drejtuar armën mbi bashkeshorten 49-vjeçare, djalin 21-vjeçar dhe vajzën 13-vjeçare.
Gjatë kontrollit të ndërmarrë nga ana e policisë, në banesën e këtij shtetasi, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë model 56, 10 copë fishekë model 56.
Gjithashtu policia gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij të markës Benz me targa TR5409E, ka gjetur një armë gjahu çifte pa numër si dhe 13 copë fishekë, të cilat i mbante pa leje.
Nga ana e policisë u kryen veprimet proceduriale lidhur me rastin dhe materialet iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë.
Mbi Besnik Hushin 50 vjeç rëndon akuza për kryerjen e veprave penale “Dhunë në familje”, “Kanosje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve“, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.





