LEZHE, 17 maj 2013– Fryma e Re Demokratike prezantoi sot 7 kandidatët e saj për qarkun e Lezhës, gjatë një takimi me qytetarët në Pallatin e Kulturës.
Listën e kandidatëve për Frymën e Re e kryeson ish-kryetari i komunës së Shëngjinit, agronomi Gjergj Ivanaj.
Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, vuri në dukje se tashmë kemi hyrë në një fazë të re të fushatës,atë të komunikimit intensiv me qytetarët në mënyrë që në 23 qershor të largojmë nga pushteti të korruptuarit.
“Ti japim fund qeverisë që mbështet projekte private , projekte të familjes që nuk i shërbejnë interesave publike”, u shpreh Topi.
Duke u ndalur në fushatën e partive të vjetra, ai akuzoi kryeministrin se detyron njerëzit e administratës dhe nxënësit e shkollave të jenë pjesë e mitingjeve të tij duke u shndërruar në një njeri butaforik që po numëron ditët e fundit si gjëmën e madhe të jetës së tij.
“Mos e përjeto kaq rëndë, dikush ikën e dikush vjen, ky është rotacioni”, iu drejtua kryeministrit Berisha, kreu i FRD.
Më poshtë kryetari i FRD-së u ndal në gjendjen shumë të vështirë të ekonomisë dhe tha se qeveria i merr para qytetarëve me bono thesari për të mbuluar gropat e zeza të keq-qeverisjes.
“Ekipi i kandidatëve të qarkut të Lezhës është pasqyrë e fizionomisë sonë politike”, tha Topi, duke i cilësuar ata si njerëz të formuar dhe konkurrues të denjë.
Ai e përfundoi fjalën e tij duke shprehur besimin se banorët e këtij qarku në 23 qershor do të bëjnë diferencën midis profileve njerëzorë të kandidatëve të FRD-së dhe profileve të atyre që vijnë vetëm kur kanë nevojë për votën e qytetarëve.





