GJAKOVE, 17 maj 2013– Pesë ditë është mbajtur peng në një depo të ish fabrikës "Metaliku" që ndodhet në rr."Skënderbeu" në Gjakovë, një vajzë nga Gjakova.
Policia e Kosovës rreth orës 23:45 të natës së 15 Majit e ka gjetur vajzën të ulur me një kënd, ku kishte të lidhura duart dhe këmbët me një shirit izolues.
Fillimisht prindi i vajzës më datë 11.05.2013 ka raportuar në Polici se i është zhdukur vajza në drejtim të panjohur.
"Familja kishte tentuar ta kontaktonte përmes telefonit që ajo posedonte por ishte e pa mundshme sepse nuk kishte qasje në rrjet.
Ky ankues i policisë i ka dhënë te gjitha detajet dhe përshkrimin e viktimës", ka njoftuar zyra për marrëdhënie me Publikun e Policisë së Kovës për rajonin e Pejës.
Lidhur me këtë rast, policia thotë se ka bërë angazhim intensiv në Gjakovë në bashkëpunim me të gjitha njësitet e tjera.
Ndërkohë që persona të panjohur përmes një thirrje telefonike kishin njoftuar prindin, se vajza e tij ndodhet në një depo të ish fabrikës "Metaliku" , ndërsa prindi menjëherë ka njoftuar policinë.
Policia, dyshimet e para i ka hedhur te telefonuesit e prindit, ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të procedohet si rast Rrëmbimi dhe të zhvillohen hetimet e menjëhershme për të identifikuar personin apo personat e mundshëm të dyshuar.





