TIRANE, 16 maj 2013- Kryetari i PS-së, Edi Rama, falënderoi përmes rrjetit social “Twitter” të gjithë mbështetësit që ju bashkuan Partisë Socialiste në çeljen e fushatës elektorale në Korçë. 

Kryesocialisti akuzoi sërish qeverinë se po ushtron presion ndaj rrogëtarëve të shtetit, për të mbështetur Partinë Demokratike në fushatë. 

“Një falenderim me zemër për Korçën! Në prezantimet tona njerëzit i sjell zemra, ne të tyret frika se u heqin bukën e gojës! #Krenar për PS.”- shkruan Rama në “Twitter”. 

Rama: Në Korçë me ekipin fitues, ne jemi ndryshimi

Kryesocialisti Edi Rama është ndalur në qytetin e Korçës, për të prezantuar skuadrën e Rilindjes në këtë qytet, ku do të udhëhiqet nga Bashkim Fino e jo nga Pandeli Majko, i cili kryeson në kryeqytet.

Gjatë fjalës së tij, kreu opozitar Rama ka sulmuar ashpër kandidatët e Partisë Demokratike në këtë qytet ndërsa është shprehur i bindur se në Korçë, PS ka sjellë ekipin fitues.

Rama renditi një sërë premtimesh, si hapjen e vendeve të reja të punës, heqjen e taksës për biznesin e vogël, reduktimin e analfabetizmit, rimëkëmbjen e bujqësisë dhe vendosjen e taksimit progresiv.