DURRES, 16 maj 2013- Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare, si për lojtarët që u ka përfunduar kontrata me klubin, ashtu edhe për ata që do të veshin fanellën e Teutës për sezonin e ri. Atyre që u ka përfunduar kontrata janë në ankth për të ardhmen e tyre.

Asnjëri prej tyre deri më tani nuk ka firmosur, por mësohet se nuk do ta kenë të gjithë shansin për të qëndruar në Durrës. Flitet që pas Shetës mund të largohen edhe dy-tre lojtarë të tjerë dhe kjo do të vendoset shumë shpejt, pasi pritet që ndërtimi i skuadrës të bëhet përpara ndeshjeve të Ligës së Europës.

Tekniku Magani ka thënë se nuk do të ketë shumë ndryshime, por për disa prej lojtarëve ai ka pasur rezerva sa i përket paraqitjes së tyre gjatë kohës që peqinasi mori drejtimin e skuadrës durrsake. Në fakt, reparti që mund të ketë largime është ai i mesfushës dhe mbrojtjes, kjo duke marrë shkas edhe nga deklarata e Maganit, i cili u shpreh se po ndjek dy mesfushorë dhe një mbrojtës për të përforcuar skuadrën.

Arritja më e madhe e Teutës do të jetë të bindë mbrojtësin Osmani. Për shërbimet e korçarit janë të interesuara disa skuadra, të cilat pritet që ditët në vijim të bëjnë edhe ofertat e tyre në drejtim të klubit durrsak. Edhe pse vetë Osmani deklaroi për “Panorama Sport” se në plan të parë për të do të jetë Teuta, dhe vetëm një ofertë e majme mund ta largojë lojtarin e Kombëtares nga qyteti bregdetar.

Me fillimin e javës së ardhshme, drejtuesit e Teutës do të hidhen në aksion për të bërë ofertat e tyre në drejtim të klubeve për lojtarët që dëshirojnë t’i kenë në skuadër për sezonin e ri. Nga ana e tij, tekniku Gugash Magani ka pikasur disa lojtarë, madje mësohet se kanë nisur edhe bisedimet, ndërsa në ditët në vijim pritet zyrtarizimi. Bëhet fjalë për dy mesfushorë dhe një mbrojtës, i cili do të zëvendësojë të larguarin Sheta.

Megjithëse zëvendësimi i ish-kapitenit do të jetë shumë i vështirë, pasi me prezencën e tij në fushë krijonte siguri të madhe në repartin ofensiv, Magani është shprehur se edhe lojtari që pritet të zbarkojë në Durrës do të jetë në nivelet e tij.

/l.m. Panorama/