DURRES, 16 maj 2013– Piktorja kosovare Agnesa Muharremi ka çelur në Durrës ekspozitën e katërt personale të titulluar “Udhëtimin e dytë” nëpërmjet së cilës shpalos botën e brendshme, imagjinatën, kozmiken, moralen dhe estetikën në piktura. Të pranishëm në ceremonin e hapjes, veç shumë artdashësve durrsakë, kanë qenë edhe artistë të njohur në fushën e pikturës të qytetit bregdetar.
Në fjalën e saj 28 vjeçarja Agnesa Muharremi u shpreh duke thënë se nëpërmjet veprave krijuese ka për qëllim të shprehë ndikimin individual, të një vlerësimi objektiv dhe subjektiv, të një realeje, e cila gjen formën në abstrakten kozmike, në një kuptim objektiv e jo tematik. Teksa vijon më tej duke treguar se kjo është ekspozita e katërt personale që vjen pas disa ekspozitash që janë hapur në Ulqin, Tiranë e Fier, 28 vjeçarja nga Peja , tregon se ndjehet mjaft mirë nga mikpritja durrsake.
“Hapja e kësaj ekspozite në prag të sezonit turistik në qytetin bregdetar është një mundësi e mirë për të prekur nga afër magjinë e këtij qyteti, por edhe bujarinë e qytetarëve durrsak. Me anë të kësaj ekspozite personale pres që të zgjojë interesimin e artdashësve në Durrës”, u shpreh gjatë fjalës së saj artistia kosovare.
Ndërkaq, vlerësime prozitive erdhën edhe nga të pranishmit për artisten e re.
Para artdashësve durrsakë ajo prezantoi 20 tablo, ndër të cilat vlen të veçohen motivet nga realja e irealaja.
28 vjeçarja nga Peja, Agnesa Muharremi është pedagoge e arteve pamore në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.
Ajo shfaqet si një vajzë e brishtë, por mjaft profesionale në profesionin e saj si skenografe dhe si një piktore premtuese që luan me ngjyrën.
Veprat e krijueses Agnesa Muharremi shprehin ndikimin individual, të një vlerësimi objektiv dhe subjektiv.
Në vlerësimin moral të veprave artistike luan rol jo vetëm pozicioni i artistit, por edhe ai i spektatorit, i cili nuk është pasiv.
Spektatori përputhet dhe zhytet në një kozmos ngjyrash, ndjenjash, lëvizjesh, rrotullimesh rreth së vërtetës globale, aty ku ka filluar dhe ku vazhdon më tej.
Kjo ekspozitë për të gjithë artdashësit durrsakë dhe jo vetëm, do të qëndrojë e hapur përgjatë gjithë javës në galerinë e Klubit të Arteve dhe Kulturës.
/e.a. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





