VLORE, 11 maj 2013– Vlora ka celur sezonin turistik veror. I pranishëm në ceremoni ka qenë kryesuesi i listës së kandidatëve të parisë sociliste dhe kreu i saj Edi Rama. Kryebashkiaku Shpëtim Gjika është shprehur në fjalën e tij se edhe pse qeveria ka shmangur investimet për Vlorën, serisht sezoni turistik ka qenë dhe do të jetë i sukseshëm.
"Prania në këtë ceremoni e kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë zotit Edi Rama është garancia e asaj që vjen pas 23 Qershorit, asaj rilindjeje që duhet e me siguri do të nisë nga Vlora, e asaj rilindjeje që do të përfshijë edhe sektorin e turizmit. Në kushtet e indiferencës totale të qeverisjes qëndrore, në kushtet e mungesës së investimeve prej saj, ne kemi ditur ta anashkalojmë ata"- tha kryebashkiaku Shpëtim Gjika.
Ndërsa kreu i partisë socialiste Edi Rama pasi ka uruar një sezon të mbarë veror ka akuzuar qeverinë se ka penguar projektet e bashkisë për zhvillimin e qytetit.
"Ne duam të bëjmë për Vlorën aq sa i duhet Vlorës për t'i mbajtur këtu vajzat e djemtë e vet. Fatkeqësisht më shumë mendojnë se si të ikin nga Vlora se sa po ndërtojnë jetën këtu në Vlorë për shkak të 1001 vështirësive, 1001 kufizimeve, 1001 pengesave që Vlorës i vijnë për vitet me rradhë nga qeveria e Tiranës e cila i ka kthyer shpinën Vlorës, dhe jo vetëm kaq, por ka bërë çmos për ta penguar Vlorën që të shkojë përpëra"- tha Rama.
Të pranishëm në celjen e sezonit turistik veror në qytetin e vlorës kanë qenë edhe Ambasadori i OSBE, Eugen Wolfarth dhe Konsulli i Italisë në Vlorë Stefano Bergesio.





