KUKES, 11 maj 2013– Në një takim me banorë të Shishtavecit, kreu i mazhorancës tha se opozita i hoqi Shqipërisë shansin për të përfituar fonde të mëdha ndihme duke penguar statusin kandidat.
"Nga ajo ditë deri më sot ato ligje janë bllokuar në Parlamentin shqiptar dhe janë bllokuar nga zoti Edi Rama. Ato ligje janë bllokuar me qëllimin e vetëm për të dëmtuar, sipas mendjes së tij, qeverinë. Në të vërtetë, ai dëmton një interes jetik të mbarë shqiptarëve, të çdo shqiptari, fëmije, gruaje, burri, të riu, të moshuari. Statusi i vendit kandidat do të thotë disa qindra milionë euro falas nga Komisioni Evropian, investime për rrugë, për ujësjellës, për kanalizime, për shkolla, për spitale"- tha Berisha.
Duke renditur arritjet e qeverisë së tij në rritje pensionesh e rrogash, apo ndërtim shkollash e spitalesh në të gjithë vendin, kreu i qeverisë u ndal tek fushata negative që po bëjnë kundërshtarët socialist për ndërtimin e rrugëve nga qeveria.
"Zoti Rama udhëton me një autobus luksoz në rrugë pa gropa dhe vrapon ku të gjejë një gropë. Del burri, 2 metër i gjatë, tek një gropë me Kujtim Qefalinë, deputetin e tij, në një komunë socialiste, e të vjen në mendje se i kanë bërë vetë gropat"- tha Berisha.
Kreu i mazhorancës inaguroi përfudnimin e rrugës Kukës-Shishtavec me vlerë 1.2 miliardë lekë dhe gjatësi 6 km, së bashku me ndërtimin e 4 ujësjellësave në fshatrat Borje, Shtrezë, Oreshkë dhe Novosej. Më heret kryeministri Berisha lajmëroi nënprofiline tij nën Facebook nënshkrimin e lejes së ndërtimit të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Devoll që do kryhet nga kompania publike norvegjeze "Statkraft", me një vlerë mbi 800 milionë euro.





