TIRANE, 11 maj 2013– Policia e kryeyqytetit ka arritur të arrestojë dy persona, të cilët kanë përdorur një mënyrë krejt të veçantë, për të grabitur.

Rasti më i fundit u rregjistrua në afërsi të bllokut të Pallateve Agimi në Tiranë ku agresorët arritën të grabisin nga një dyqan veshjesh rreth 40 mijë lekë mall si dhe 100 mijë lekë xhiro ditore.

Burime pranë policisë së kryeqytetit bëjnë me dije se një nga agresorët është identifikuar si 25 vjecari  Andi Mekrizvani. I riu ka hyrë në dyqanin e veshjeve dhe ka porositur rreth 40 mijë lekë rroba të ndryshme ndërsa ka pretenduar se po shkonte të këmbente paratë në një pikë të këmbimit valutor si dhe të porosiste diçka për të pirë pasi kishte etje. 

Kamera e sigurisë në pikën e këmbimit valutor e cila ndodhet ngjitur me dyqanin e veshjeve ka fiksuar agresorin i cili ka hyrë, por nuk ka këmbyer para. Në këtë moment ai është rikthyer në dyqanin e veshjeve me dy pije energjike njërën prej të cilave ja ka dhënë pronarit të biznesit. Pas gati 10 minutash 45 vjecarit me inicialet M.P. i kanë rënë të fikët ndërsa e ka gjetur veten të shtruar në spital. Sipas policisë është përdorur e njëjta metodë si ajo me taksistin pak kohë më parë.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se ky nuk është i vetmi rast ku agresorët përdorin pije freskuese ndërsa i hedhin medikamentin diazepam për të vënë në gjumë viktimat e tyre.

Sipas policisë së bashku me 25 vjeçarin në pranga ka rënë dhe 35 vjeçari Mentor Dunga ndërsa me të njëjtën mënyrë kishin arritur t'i vidhnin një tjetër shtetasi rreth 3.5oo euro.

News 24, publikon pamje të filmuara nga kamera e sigurisë së një pike këmbimi valutor, pranë një prej vendeve ku dy personat kanë vjedhur.