VLORE, 11 maj 2013- Policia e Vlorës finalizoi me sukses dy operacione antidrogë, duke shkatërruar një bazë të përpunimit dhe paketimit të lëndëve narkotike, si dhe sekuestroi rreth 600 kg kanabis sattiva.
Në njoftimin zyrtar të Policisë së Vlorës bëhet e ditur se është finalizuar me sukses operacioni i koduar “KALAJA”, si rezultat i të cilit është shkatërruar një bazë përpunimi dhe paketimi lënde narkotike dhe është arrestuar një 50-vjeçar.
“Në kuadër të hetimeve dhe informacioneve të grumbulluara nga Strukturat antidrogë mbrëmjen e djeshme është ushtruar kontroll në një banesë në fshatin Shërishtë në pronësi të shtetasit: Festim Sadenin Sadedinaj, vjec 50 lindur dhe banues në fshatin Sherisht të rrethit Vlorë. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar rreth 300 kg lëndë narkotike marijuanë e cila ishte e paketuar dhe e vendosur në canta të ndryshme sportive. Nga hetimet e kryera në lidhje me veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi ka rezultuar se grumbullonte lëndë narkotike marijuanë dhe paketonte atë për llogari të grupeve të ndryshme kriminale. Në cilësinë e provës materiale këtij shtetasi ju sekuestruan 2 automjete tip fugon dhe kamioncinë të cilat përdoreshin për transportin e lëndës narkotike dhe peshore elektronike.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar “ SKELA 1” po ditën e djeshme u sekuestruan rreth 600 kg lëndë narkotike marijuanë si dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit, Diego Haxhiraj dhe Ajet Çepaj, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe 3 persona të tjerë.
“Lënda narkotike është sekuestruar brenda një automjeti tip kamioncinë frigoriferike në një parking në qytetin e Vlorës. Dyshohet që lënda narkotike ishte bërë gati për tu trafikuar në drejtim të Italisë në rrugë tokësore.”- bëri të ditur policia.





