TIRANE, 11 maj 2013- Mesditën e sotme një banesë u përfshi nga flakët, në kryeqytet.

Ngjarja ndodhi në një banesë private në rrugën “Todi Shkurti”, ku flakët u përhapën me shpejtësi, si pasojë e një shkëndije elektrike, por fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar. 

Zjarrfikësit mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe bënë të mundur nxjerrjen në kohë nga banesa të një fëmije që ishte bllokuar nga flakët. 

Pronarja e shtëpisë deklaroi se të dy fëmijët e saj ishin bllokuar në shtëpinë e rrethuar nga flakët, por njërin prej tyre e kishte shpëtuar bashkëshorti i saj.

Ajo falënderoi zjarrfikësit për ndërhyrjen e shpejtë dhe shpëtimin e fëmijës së saj. 

“Zjarrfikëset kanë shpëtuar një prej fëmijëve të mi. Sapo e kishim rregulluar shtëpinë, pati shkëndijë dhe më pas ra zjarr. Dëmi është i pallogaritshëm, shkon deri në 7 milionë lek të vjetra.”- shprehet ajo. 

Pas rreth gjysmë orë, zjarrfikësit arritën të lokalizonin flakët dhe të shmangnin përhapjen e mëtejshme të zjarrit.