TIRANË, 11 maj 2013 –Me sa duket, kunetërit durrsakë Agron Duka dhe Lefter Koka, nuk i kanë hapur rrugë njëri-tjetrit për t’u tërhequr nga listat e koalicionit të majtë, të paktën, këtë lë të kuptohet deklarimi më 10 maj 2013 i kryetarit të PSSH-së, Edi Rama në emisionin “Tonight Ilva Tare”, në Ora News.
Mendimi i bazës
Kreu i selisë rozë, Rama, pasi ka pranuar se nuk është marrë mendimi i bazës socialiste “në formën e një tërheqjeje mendimi në një formë tradicionale, sepse do të ishte jo produktiv”, por janë përdorur anketimet “për të nxjerrë personalitetin dhe impaktin e çdo figure, ka shpjeguar mospërfshirjen në listat të ish-ministrit të bujqësisë së Nanos, Agron Duka.
Rama ka hedhur plotësisht si të pavërtetë zërat që kanë qarkulluar se ka pasur një marrëveshje me LSI-në për t’i lënë terren Lefter Kokës, duke “skartuar” Agron Dukën.
Ana etike
Kryesocialisti ka shpjeguar se “dy kunetër në dy forca aleate në të njëjtin front do të ishte pak si shumë për të njëjtin qark, nga ana etike në raport me elektoratin dhe pak si shumë nga ana e ngarkesës politike, pa i hyrë aspak një diskutimi që lidhet drejtpërdrejt me personin”.
Kjo do të thotë se nga ana etike nuk shkon që të ketë lidhje nepotike në të majtën shqiptare.
Ngarkesa politike
Por tërheq vëmendjen shpjegimi i errët se “dy kunetër në dy forca aleate në të njëjtin front… do të ishte pak si shumë nga ana e ngarkesës politike”, duke shtuar dhe akuzën, me sa duket, ndaj Dukës “pa i hyrë aspak një diskutimi që lidhet drejtpërdrejt me personin”.
Me këtë rast, Rama i lë në derë koalicionit të djathtë Agron Dukën, që është akuzuar rëndë nga Berisha mu në Shijak.
Në fakt, të dy kunetërit, Agron Duka dhe Lefter Koka, i futi në politikë Fatos Nano, të parin, në vitin 2001 dhe 2005, për deputet dhe të dytin për kryetar bashkie në Durrës (2003 – 2007).
Konfrontimi me Dakon
Ndërkaq, kanë ndodhur disa gjëra të tjera, që kanë krijuar tensione në Durrës për të dy kunetërit.
Nëse në mandatin e parë për kryetar bashkie në Durrës Vangjush Dakon e mbështeti fort Lefter Koka, për mandati e dytë pati fërkime deri dhe konfrontime në Spitallë.
Ndërkohë Lefter Koka ka bërë fushatë të ashpër si ndaj Vangjush Dakos së PS-së ashtu dhe ndaj Seit Kërtushës së PS-së.
Flitet se prishja Koka-Dako ndodhi thjesht për faktin se kyebashkiaku nuk e mbështeti për blerjen e truallit në zonën e pistës te shëtitorja bregdetare me çmim të ulët; madje, vëllezërit Koka u konfliktuan për këtë problem dhe me ish-kryetarin e Këshillit të Qarkut, Seit Kërtusha (PD).
Parë në këtë perspektivë, burime nga dega e PS-së së Durrësit, ndaj Dukës ka vënë veton Vangjush Dako, ashtu si dhe për Gazmir Bizhgën.
Nëse Bizhgës nuk i ngeli hatri, këtë nuk e ka gëlltitur Duka, që ka mbajtur me paga dhe kancelari PS-në e Durrësit.
Nxjerrja jashtë loje e Dukës dhe hedhja e tij në prehër të atij që është quajtur autor i masakrës së Gërdecit, Fatmir Mediu, nuk e shqetëson Ramën se mund t’i prishë punë së majtës: “Asnjë problem, zero”.
Çështja e Shijakut
Ja sesi e shikon këtë problem analisti Xhevo Gradica i gazetës lokale “Bulevard”:
“Kryeministri Sali Berisha do e ketë të pamundur të ngjitet në tribunë e të shoqërojë Agron Dukën në mitingjet e së djathtës pasi Berisha e ka pasur si kalë beteje emrin e Dukës në sfidën e tij për të marrë Shijakun në mandatin e kaluar në kohën që Duka socialist luftonte përballë Olldashit të PD.
Berisha bëri asokohe gjetjen më të rëndë duke e cilësuar Dukën si eksponent të Klanit të Zemunit dhe si të implikuar në krime.
Vet Duka qëndron mes shumë zjarreve, kapërcimi i të cilave do të jetë shumë i vështirë.
Shijaku nuk ka fare elektorat të organizuar në PR dhe votat Duka detyrimisht duhet t’i marrë nga elektorati i majtë dhe i djathtë në një kohë që të njëjtën gjë do të bëjë edhe Lefter Koka që përfaqëson LSI-në.
Ashtu si Duka edhe Koka këtu nuk ka anëtarësi dhe duke pasur lidhje miqësore të ngushtë mes tyre ata do të ndajnë votat e rretheve që mbështesin të dy, siklet që ka nisur të manifestohet gjithandej”.
Fragmenti i intervistës
Ora News: A u mor mendimi i bazës socialiste për hartimin e listave të kandidatëve për deputetë?
Edi Rama: – Nuk është marrë mendimi në formën e një tërheqjeje mendimi në një formë tradicionale, sepse do të ishte jo produktiv; nuk e bën asnjë parti që zhvillon zgjedhje me këtë sistem. Por, pa dyshim, është marrë mendimi i opinionit publik përmes anketimeve, për të nxjerrë personalitetin dhe impaktin e çdo figure për të plotësuar skuadrën tonë. Kandidatët e pavarur në vitin 2007 bënë që e majta të humbë disa bashki dhe komuna.
Ora News: Sa do ndikojnë të pakënaqurit dhe të pavarurit në zgjedhjet e 23 qershorit, zoti Malaj, Prifi, Duka?
Edi Rama: Do kenë efektin zero. Nuk ka më budallenj në Shqipëri që të rendin pas berihait dhe të votojnë disa personazhe që haptazi dhe qartazi kanë dalë në rrugën e gjoja kandidimit të pavarur vetëm për të bërë dëm. Nuk ka asnjë shans për të marrë një mandat. Kanë dalë për të bërë dëm, por nuk do shkaktojnë dot.
Pyetje: A është e vërtetë ajo që thuhet, se moskandidimi i zotit Duka ishte sipas një marrëveshjeje me LSI-në për t’i lënë terren të lirë zotit Koka në Durrës?
Edi Rama: Absolutisht e pavërtetë.
Ora News: Pse nuk u kandidua zoti Duka?
Edi Rama: Unë kam mbrojtur mendimin se dy kunetër në dy forca aleate në të njëjtin front do të ishte pak si shumë për të njëjtin qark, nga ana etike në raport me elektoratin dhe pak si shumë nga ana e ngarkesës politike, pa i hyrë aspak një diskutimi që lidhet drejtpërdrejt me personin.
Ora News: A shkakton probleme kandidimi i zotit Duka me PR?
Rama: Asnjë problem, zero.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





