NIGERI, 11 maj 2013- 17 adoleshente shtatzëna dhe 11 foshnje janë shpëtuar nga një shtëpi në juglindje të Nigerisë, ku ishin të ngujuara, njoftoi policia e këtij shteti.
Vajzat treguan se ishin ushqyer njëherë në ditë, dhe se nuk u ishte lejuar të braktisnin shtëpinë. Sipas televizionit BBC, “fabrikat” e ngjashme të foshnjave nuk janë dukuri e rrallë në Nigeri.
Vajzat e shpëtuara po ashtu treguan se të gjithave fëmijët ua kishte bërë një mashkull 23-vjeçar, i cili është kapur në ndërkohë, njoftoi agjencia AFP.
Paraprakisht, Bashkimi Europian bëri të ditur se, përveç Kinës, Nigeria është një prej burimeve kryesore të tregtisë me njerëz, të cilët prej atje kontrabandohen në Europë, ku shumë shpesh detyrohen të merren me prostitucion.
Në vitin 2011, Agjencia Kombëtare për Ndalimin e Tregtisë me Njerëz publikoi se, çmimi i shitjes së fëmije në Nigeri arin deri në 6,400 dollarë.
Femrat e varfra dhe të pamartuara në Nigeri i pret një jetë e vështirë, dhe më së shpeshti mbesin të përjashtuara nga jeta shoqërore dhe nga shoqëria përgjithësisht.
Agjencia nigeriane po ashtu publikoi se, adoleshentet e dëshpëruara, të cilat mbesin shtatzëna pa plan, shumë shpesh detyrohen të shkojnë nëpër klinika, ku duhet t’i lënë fëmijët e tyre, të cilët pastaj shiten për adoptime ilegale, për punë apo për prostituim.
Sipas agjencisë, ka edhe raste kur vriten, në mënyrë që pjesët e trupave të tyre të shfrytëzohen për rituale të ndryshme.





