DURRES, 11 maj 2013– Pas më shumë se dy sezonesh të shkëlqyera me Teutën, ka ardhur “divorci” mes Shetës dhe Teutës. Lajmi është konfirmuar si nga presidenti Edmond Hasanbelliu, ashtu dhe nga vetë lojtari, i cili vlerësoi me notat më të larta mbështetjen e tij, por edhe të të gjithë pjesëtarëve të skuadrës.
Ky divorc vjen në momentet më të mira të skuadrës, kur ajo po përgatitej për Europë.
“Kemi vendosur që mbrojtësi të largohet, pasi nuk bën pjesë në projektin që skuadra ka për të ardhmen. Sheta ka qenë një lojtar i rëndësishëm për Teutën dhe e ka ndihmuar këtë skuadër gjatë kohës që ka qenë pjesë e saj. Ishte një ndarje e mirëkuptueshme nga të dyja palët, çka do të thotë se marrëdhënia e mirë mes nesh do të vazhdojë. Unë jam i shqetësuar më tepër për humbjen në Berat, ku skuadra u mund thellë. Duhet të kishim bërë një paraqitje më të mirë dhe ta kishim fituar këtë ndeshje”, ka thënë Hasanbelliu.
Ndërsa i pyetur nga “Panorama Sport” në lidhje me këtë largim, Sheta u përgjigj:
“Gjatë një takimi që pata me presidentin, ramë dakord që të mos jem më pjesë e Teutës në vazhdim. Jam shumë i lumtur për kohën që kam kaluar te kjo skuadër dhe për mbështetjen që presidenti, ekipi, kolegët dhe tifozeria durrsake më kanë dhënë. Falë kësaj mbështetjeje, unë e pata më të lehtë për të dhënë më të mirën time si lojtar i kësaj skuadre. Ky ekip ishte si familje për mua, ku respekti ishte reciprok. Teuta është një ndër klubet ku mund të punosh i qetë, pa presion dhe ku klanet nuk ekzistojnë. Për një futbollist profesionist kjo është e mjaftueshme, sepse kur ke mbështetjen e të gjithëve, çdo gjë bëhet më e lehtë. Pavarësisht se nuk jam më pjesë e Teutës, i uroj suksese. Dëshira ime është ta shoh këtë ekip në majat e futbollit shqiptar”, përfundon ai.
FUTBOLL, Tomori-Teuta 4-1
Në takimin e djeshëm Tomori ka mundur në shtëpi 4-1 Teutën. Një sfidë pa shumë interes, ku durrsakët nuk shfaqën asgjë nga ajo çka pritej e, për pasojë, pësuan këtë humbje të thellë. Kështu, beratasit e drejtuar nga trajneri Madrid Muxhaj i gëzohen fitores së katërt në këtë edicion, duke i dhënë në këtë mënyrë “lamtumirë” Superiores.
TOMORI-TEUTA 4-1
GOLAT: Mitraj 2′, Ouej 17′, Karamani 43′, Xhejms 53′ / Xhafaj 63′
TOMORI: Llani, Çarls, Rexha, Karamani, Sulejmani, Isufi, G.Arbri, Elmazi (Muxhaj 61′), Xhejms, Ouej, Mitraj. Trajner: M.Muxhaj
TEUTA: Rizvani, Sakaj, Osmani, Jakupi, Marku, Hoxha, Tairi (Tepshi 56′), Çyrbja, Hodo (Nika 75′), Dosti (Deliallisi 46′), Xhafaj. Trajner: G.Magani
DELEGAT: Petrit Naçi
VËZHGUES: Sami Elezi
GJYQTARET: L.Jemini, E.Barushi, G.Qirici (tiranë)
MINUTAT
2′ Mitraj godet në hyrje të zonës dhe topi përfundon në krahun e djathtë të portës së mbrojtur nga portieri Rizvani. Dhe 1-0.
17′ Ouej shmang 3 mbrojtës durrsakë dhe, i gjendur përballë me portierin mik, gjuan fort, duke dyfishuar rezultatin.
43′ Aksion fotokopje e golit të dytë, Karamani shmang bukur mbrojtjen durrsake dhe kalon për herë të tretë në avantazh Tomorin.
53′ Ervin Sulejmani shërben një top për Xhejms, i cili, i harruar nga defensiva durrsake, shënon. Dhe 4-0.
63′ Hodo kroson në zonë në gjysmëlartësi, ku Xhafaj nuk bën gjë tjetër, veçse e shtyn topin në rrjetë. 4-1.
Pjesa e parë Loja nis vrullshëm për beratasit, ku pa kaluar as 2 minuta shënojnë golin e parë me anë të Aldo Mitrajt. Ky i fundit bën gjithçka vetë, godet nga jashtë zone dhe nxjerr të tijtë në avantazh. Sfida do të vijonte e qetë, por e prish këtë nigeriani Ouej. Në minutën e 17-të, ai shmang 3 mbrojtës miq dhe nuk e ka të vështirë të dyfishojë rezultatin. Durrsakët nuk impenjohen thuajse fare në këtë pjesë të parë. Loja do të zhvendoset në mesin e fushës, ku takimi e humbet bukurinë për rreth 25 minuta, pasi asnjë nga skuadrat nuk e ndërmerr iniciativën për të sulmuar. Në minutat e fundit e pjesës së parë, beratasit zgjohen sërish dhe, në të 43-ën, Karamani “përsërit” të njëjtin aksion si Ouej dhe takimi shkon në shifrat 3-0. Për herë të parë në këtë sezon, të besuarit e Muxhajt shkojnë në dhomat e zhveshjes me një avantazh kaq të thellë.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë fillon me një zëvendësim nga ana e trajnerit të Teutës, Gugash Mangani, i cili hedh në fushën e lojës Deliallisin në vend të Dostit. Edhe pjesën e dytë do të jenë beratasit ata që do të marrin kontrollin e lojës. Dhe, në minutën e 53-të, Xhejms do të fusë emrin në listën e golashënuesve, teksa pas një topi të marrë nga Sulejmani, ai shënon golin e katërt të takimit. Mbrojtja e Teutës duket sikur nuk funksionon dhe stonon shumë. Goli i nderit për durrsakët do të vijë në minutën e 63-të. Është Hodo që ndërmerr një inkursion vetjak, kroson në zonë në gjysmë lartësi dhe sulmuesi Daniel Xhafaj realizon golin e vetëm për Teutën. Minutat e mbetura janë pa histori, kështu në 3 përballjet e zhvilluara në Superiore me Teutën, Tomori merr për herë të parë një fitore.
MË I MIRI
Nigeriani Ouej dhe sulmuesi Aldo Mitraj ishin dy lojtarët më të mirë në takimin e djeshëm. Jo vetëm se arritën të shënonin në portën kundërshtare, por duhet thënë se ata ishin një rrezik për portierin Rizvani. Sulmuesi Mitraj me golin e shënuar shkon në kuotën e 6 të tillëve.
MË PAK AKTIVI
Mbrojta durrsake linte mjaft për të dëshiruar në takimin e djeshëm. Ky repart stononte në çdo aspekt, ku secili aksion i beratasve përbënte një rrezik për portierin Bledian Rizvani. Dhe katër golat e pësuar erdhën si pasojë e neglizhencës së këtij reparti, që nuk mbylli hapësirat e sulmuesve vendës.
Muxhaj: Fitore për statistikë
Madrid Muxhaj, numri një i pankinës së Tomorit, pas përfundimit të takimit, në konferencën për shtyp ka pohuar se ishte një fitore që vlen për statistikë. “Ekipi ynë zhvilloi një ndeshje shumë të bukur, duke arritur kështu një fitore në këtë takim mbyllës të këtij edicioni. Jam shumë i kënaqur për atë çka dhanë futbollistët në fushën e lojës. Kjo fitore ishte vazhdimësi e rezultateve tona të mira të arritura në shtëpi. Ia dolëm mbanë, duke arritur kështu të përmbushnim objektivin që na kishte mbetur, fitimin e takimeve në Berat”, ka përfunduar trajneri i beratasve, Muxhaj.
Magani: Ekipi luajti dobët
Trajneri i Teutës, Gugash Magani, në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit ka pranuar lojën e dobët që ka zhvilluar skuadra që ai drejton. Megjithatë, sipas tij, kjo përballje nuk kishte interes, duke qenë se e kanë realizuar synimin e këtij sezoni.
“Ekipi zhvilloi një lojë të dobët. Ky takim nuk kishte shumë interes për ne, pasi e kemi përmbushur objektivin sezonal, që ishte pjesëmarrja në Europë. Nuk aktivizova disa prej lojtarëve titullarë, kjo për shkak se duhet të rifitojnë kushtet fizike, për të filluar përgatitjet për kupat e Europës”, ka përfunduar Magani.
/PanoramaSport/





