UASHINGTON, 11 maj 2013– Dyshime janë hedhur mbi qëndrimin dhe shpjegimet e dhëna nga Shtëpia e Bardhë për sulmin terrorist të vitit të kaluar ndaj misionit diplomatik amerikan në Bengazi të Libisë, ku gjetën vdekjen ambasadori amerikan dhe tre amerikanë të tjerë. Zhvillimet e fundit përfshijnë pikat e diskutimit që kishin përgatitur shërbimet e zbulimit dhe mbi të cilat u bazuan zyrtarë të administratës Obama në komentet e tyre për sulmin.
Rrjeti mediatik ABC njofton se mesazhet elektronike të kësaj periudhe tregojnë se kishte pasur redaktime të shumta në variantin që u përgatit para komenteve të zonjës Rice. Aty mësohet se një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit i kishte kërkuar CIA-s të eliminonte referencat për lidhje me një grup të al-Kaidës, si dhe për kërcënime të mëparshme ekstremiste, pasi informacioni mund të shfrytëzohej për të kritikuar Departamentin e Shtetit.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney hodhi poshtë aludimin se Shtëpia e Bardhë ishte e përfshirë në ndonjë prapaskenë me synimin për të mbuluar të vërtetën dhe se bëhej fjalë vetëm për ndryshime stilistikore.
"Kjo do të ishte më e rëndësishme nëse nuk do ta kishim pranuar që në fillim se mendonim që ekstremistë mund të ishin përfshirë, po të mos kishim pohuar që në fillim se mund të ishte përfshirë Ansar Al-Sharia apo vetë al-Kaida ose rrjete të lidhura me të. Këto janë përpjekje për të akuzuar administratën se është përjekur për të fshehur diçka që në fakt nuk e fshehëm"- tha Carney.
Një ligjvënës republikan ka kërkuar ngritjen e një komisioni të pavarur dypartiak për të hetuar sulmin, ndërkohë që administrata ka akuzuar republikanët në Kongres se po e politizojnë çështjen e Bengazit.





