TIRANË, 10 maj 2013 –PS-ja në Durrës synon të përmbysë rezultatet e 2009-ës, duke grumbulluar 10 mijë vota më shumë, “përkthyer” në numër deputetësh: PS 7 dhe PD 6, këtë synim e shpreh kandidati i listës rozë për qarkun bregdetar Namik Dokle.

Politikani me përvojë (ish-nënkryetar i PS, zëvendëkryeministër, kryetar dhe zëvendëskryetar i Kuvendit), deputet veteran prej 22 vjetësh, Namik Dokle vjen të kandidojë në Durrës, ku lindi para 67 vjetësh.

Me sa duket, Dokle do të mbulojë Krujën: “ takuam socialistët në Nikël, Bubq, Thumanë, Krujë dhe Fushë-Krujë dhe të gjithë bashkë kemi një objektiv: Dhjetë mijë vota më shumë se në vitin 2009”, shkruante më 10 maj në FB.

Në zgjedhjet e 2009-ës PS-ja mori 5 deputetë, LSI-ja 1, kurse PD-ja 7.

Me sa duket, PS synon të marrë një deputet më tepër, plus Lefter Kokën e LSI-së, që e çon numrin e deputetëve të majtë në 7.

Edhe PD-ja synon të ruajë jo vetëm numrin aktual prej 7 deputetësh, por të fitojë edhe një më tepër, atë me anë të Agron Dukës për PR-në.

Me sistemin aktual zgjedhor, më i favorizuar del Duka dhe i rrezikuar Koka.

Gjithsesi, qarku i Durrësit ruan befasi, për shkak të paqartësisë së situatës me futjen në garë të Frymës së Re Demokratike me Gazmend Oketën dhe Sami Gjergjin, që mund t’i prishin punë së djathtës aktuale në pushtet.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/