SHKODER, 10 maj 2013- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka prezantuar në Shkodër kandidatët për deputetë të këtij qarku për LSI. Meta i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha që të pranojë kompromisin e ofruar nga opozita për miratimin e tre ligjeve për integrimin në BE. Por shtoi se kreu i mazhorancës nuk ka vullnet për kompromis.

“Ndërkohë që kreu i PS-së e ka pranuar këtë kompromis, jam i zhgënjyer që kryetari i PD-së bën sikur nuk e kupton këtë kompromis duke kërkuar që ligjet të miratohet siç janë dhe të hyjnë në fuqi menjëherë sepse mesa duket synimi i tij nuk paska qenë miratimi i tre ligjeve por mbushja e Gjykatës së Lartë me militantë nga partia dhe shtrembërimin e ligjit për Gjykatën Administrative”, tha Meta.

Duke folur për zgjedhjet e 23 qershorit, kreu i LSI-së nënvizoi se, “Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një rrotacion por për një vizion krejtësisht të ndryshëm që do t’i japë fund politikës konfliktuale dhe përjashtuese.”

“LSI ndërton ura në politikë në komunitet dhe në të gjithë shoqërinë tonë, nuk ndërton mure ndarëse. Ne jemi një pavarësisht përkatësisë politike. Jam i bindur se më 23 qershor, Shkodra do të votojë LSI si garanci për stabilitet dhe paqe sociale dhe për të çuar përpara reformat e integrimit”, u shpreh Meta.