NEW YORK, 10 maj 2013– Në një nga vjedhjet më të mëdha të bankave në histori, një grup kriminal ndërkombëtar kibernetik arriti të grabisë 45 milionë dollarë nga dy banka të Lindjes së Mesme pasi manipuluan të dhënat e një kompanie të përpunimit të kartave të kreditit dhe tërhoqën para nga ATM-të në 27 vende të ndryshme, bënë të ditur prokurorët amerikanë.

Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së akuzoi tetë njerëz që dyshohet se kanë krijuar celulën me bazë në Nju Jork të organizatës dhe tha se shtatë vetë janë arrestuar.

I teti, që dyshohet se qe udhëheqësi i celulës, u raportua të jetë vrarë në Republikën Domenikane më 27 prill.

Udhëheqësit e rrjetit ndërkombëtar besohet se janë jashtë Shteteve të Bashkuara por prokurorët refuzuan të japin detaje duke argumentuar se hetimet janë në zhvillim e sipër.

Ajo që është e qartë është përmasa e jashtëzakonshme e këtij krimi dhe shpejtësia me të cilën është kryer: në një sulm të vetëm që zgjati për pak më shumë se 10 orë, u kryen 36 mijë tërheqje në ATM në 24 vende dhe u tërhoqën 40 milionë dollarë.

“Në vend të armëve dhe maskave, kjo organizatë e krimit kibernetik përdori laptopë dhe internet,” tha prokurorja për Distriktin Lindor të Nju Jorkut Loretta Lynch në një konferencë për shtyp.