Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka prezantuar mbrëmjen e së enjtes në Durrës kandidatët e kësaj partie për këtë qark.
DURRES, 9 maj 2013– Në një miting me simpatizantët socialistë, kreu i opozitës ka falenderuar fillimisht eksponentët e PS që këtë herë kanë mbetur jashtë listës, si dhe ka shprehur bindjen për një fitore “historike” të partisë së tij në këtë qark.
“Falenderoj Gazmir Bizhgën dhe gjithë të tjerët që kanë qenë pjesë e betejës sonë. Mirënjohje gjithë skuadrës që ka marrë përsipër zonën e Durrësit. Shpreh bindjen e plotë se kështu siç jemi sot, ne do t’ia dalim që në Durrës të arrijmë një fitore historike”, ka deklaruar Rama.
Rama ka përmendur edhe një varg arsyesh që sipas tij bëjnë që qytetarët e qarkut të Durrësit të votojnë PS, duke e vënë theksin tek varfëria, papunësia, analfabetizmi dhe ekonomia. Rama ka premtuar se me ardhjen e PS në pushtet, qeveria nuk do të rrijë më duarkryq përballë fenomeneve negative që karakterizojnë sot shoqërinë shqiptare.
“Durrësi ka një sërë arsyesh që të votojë PS. Arsye janë librat e borxheve në dyqane, bizneset e vogla të mbytura nga taksat dhe shtypja nga shteti e atyre që punojnë në punë të ndershme dhe me zorr arrijnë fundin e muajit. Ka arsye arsimin e rrënuar dhe analfabetizmin. Kaq mjafton që një qeveri të ikë me vrap dhe kaq mjafton për një prind që të shkojë të votojë e ta largojë këtë qeveri. Kanë arsye që të votojnë PS të gjithë ata shqiptarë që jetojnë në fshat dhe nuk jetojnë dot si njerëz të zakonshëm të Evropës, sepse kostot e prodhimit janë bërë të papërballueshme”, ka theksuar Rama, i cili ka premtuar ndryshimin e situatës.
“PS do heqë taksën e biznesit të vogël. PS do t’i japë fund qëndrimit duarkryq të qeverisë ndaj analfabetizmit. Vota për PS do bëjë që kostot e prodhimit të ulen dhe që çdo familje në fshat të prodhojë për vete dhe për të shitur në qytet”, ka thënë kryetari i opozitës.
Shëndetësia ka qenë një tjetër pikë e prekur prej tij. “Ne themi qartë dhe prerë: ne do t’u ofrojmë shqiptarëve shërbime sipas nevojës dhe jo sipas xhepit. Me ne shërbimi shëndetësor do të jetë falas”, ka pohuar Rama.
“Vota për PS do të thotë votë për një Shqipëri të pastër e jo të mbytur nga plehrat që vijnë nga jashtë. Vota për PS është një votë për realizimin e projekteve të bashkisë së Durrësit dhe çlirimin e Krujës. Më 23 qershor të votohet për punësimin, për taksën e ndershme dhe jo atë të sheshtë. Jam i bindur se Durrësi më 23 qershor do votojë për t’i marrë shërbimet sipas nevojës, për t’i hapur rrugë zhvillimit”, ka shtuar Rama.
Kandidatët e PS në qarkun e Durrësit janë:
1. BLENDI KLOSI
2. KLODIANA SPAHIU
3. ILIR BEQAJ
4. NAMIK DOKLE
5. GENTIAN BEJKO
6. ARTUR BUSHI
7. SHKELQIM TROPLINI
8. JURGIS ÇYRBJA
9. SOKOL SULA
10. ARDIAN KOKOMANI
11. GËZIM AGASI
12. TAULAND XHERAJ
13. ERALD HASANAJ
14. ESMERALDA SHKJAU





