DURRËS, 9 maj 2013 –Frekuentuesit e paktë të trenave të udhëtarëve nuk duhet të shqetësohen, pasi nuk do të ketë ndërprerje 3-mujore në linjën Durrës-Tiranë, për këtë i garanton durrsaku Sokol Olldashi.

Portali “ex-press.al” i është referuar një deklarate 8 majit 2013 të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi përmes rrjetit social “facebook” se “hekurudha Tiranë-Durrës do të funksionojë normalisht pavarësisht punimeve për ndërtimin e by-passit të Shkozeti, në Durrës”.

Ministri, që njoftimin e bën në FB (!) dhe jo në faqen zyrtare të dikasterit dhe mediet, sikurse e kërkon Kodi Hekurudhor, thotë: “Projekti parashikonte ndërprerjen tre muaj të hekurudhës Tiranë-Durrës, por inxhinierët tanë e modifikuan në mënyrë që na lejon edhe të vazhdojmë ndërtimin e by-pass-it, edhe funksionimin normal të hekurudhës”.

Studentët durrsakë të abonesë nuk e kanë ditur që do të ketë ndërprerje dhe as nuk e dinë që nuk do të ketë ndërprerje!

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i SHA Hekurudha Shqiptare, Zamir Ramadani, i tha “Dyrrah”-ut në linjë telefonike se po ndërtohet një linjë paralele me atë ekzistuese, gjë që shmang problemet me lëvizjen.

Ramadani, që i duhet të japë dorëheqjen nga posti i drejtorit, sipas ligjit, për shkak se figuron në listat e PD-së për deputet në Durrës, konfirmoi sihariqin e eprorit të tij, Sokol Olldashi.

/th. m. Agjencia Lajmeve “Dyrrah”/