DURRËS, 9 maj 2013 –Ish-liderit të PS-së në Durrës Gazmir Bizhga nuk i ka mbetur hatri nga Edi Rama që nuk e ka përfshirë në listat për deputet, ndryshe nga Arben Malaj, Ilir Gjoni dhe Agron Duka.

Madje, në facebook ka bërë një veprim të zgjuar, teksa vendos një foton e tij “ku jam në përballje krejt i vetëm me një grup policësh të forcave speciale në derën e KQZ e ku në sfond duket qartë n/drejtori i Policisë së Shtetit, në oborrin e brendshëm të KQZ, gardhin e së cilës të rrethuar me të tjerë policë të panumërt e kishim kaluar me një grup të vogël kolegësh”.

Është një fakt jo pa domethënie: Para dy vjetësh më 9 maj 2011, ai doli në mbrojtje të mandatit të Edi Ramës përpara KQZ-së.

Dhe për hatër të Ramës ai dhe 10 deputetë të PS-së përfunduan të denoncuar në prokurori nga Policia e Shtetit, ndërkohë që duhej që të ndodhte e kundërta, shkruan Bizhga.

Fotoja flet shumë për angazhimin e Bizhgës në kauzën socialiste, gjë që do ta përligjte përfshirjen e tij në listën e kandidatëve të Durrësit, për më tepër që mbi një dhjetëvjeçar ka drejtuar degën rozë qytetit bregdetar.

Por atë që pësoi nga protesta për Ramën dy vjet më parë, Bizhga thotë se “ka shumë pak rëndësi”.

“I penalizuari” nga listat i bën thirrje gjithkujt “që të kuptojë se sot është koha që i gjithë populli opozitar, i madh e i vogël, anëtar apo jo i PS, të mos çoroditet, po të bashkojë forcat dhe energjitë për të përmbysur një regjim të kalbur e të korruptuar si ky i Sali Berishës”.

Me sa duket, Bizhga nuk është penduar që është përballur me policinë, pasi e bën të qartë: “që fitorja të jetë e plotë, e sigurt dhe bindëse e që të mos na duhet më të rrugëtojmë përballë KQZ për të mbrojtur fitoren tonë, duhet që më 23 qershor pa hezitim apo mëdyshje të votojmë PS-në”.

Po më 9 maj Edi Rama ka falënderuar të përjashtuarit nga listat, mes tyre dhe Gazmir Bizhgën: “Kam shumë mirënjohje sot për disa protagonistë të Partisë Socialiste që nuk u përfshinë në skuadrën e re kombëtare të Partisë Socialiste, Et’hem Ruka, Gazmir Bizhga, Arben Isaraj, Eltar Deda, Qemal Minxhozi, Astrit Beci, Skënder Hasa”.

Sipas liderit të opozitës, pas bisedës që kanë bërë me të “individë me personalitet dhe kontribute në PS”, janë shprehur “pa asnjë ekuivok: Partia Socialiste mbetet familja e tyre politike dhe fitorja e Partisë Socialiste mbetet qëllimi i tyre”.

Kush është kush? Gazmir Bizhga

Datëlindja: 29.11.1971

Edukimi:

1987-1990: Shkolla e mesme e përgjithshme "Gjergj Kastrioti", Durrës.

1990-1995: Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, dega Hidroteknike.

Veprimtaria profesionale:

1995-1996: Inxhinier zbatimi në kompaninë ndërtimore "SPED" shpk. Tiranë.

1996-1997: Specialist i ndërtimit dhe promovimit në kompaninë italiane " MAC" di Treviso.

1997-1998:  Inxhinier dhe supervizor në studion e projektimit "C. LOTTI & ASSOCIATE" societa di ingeneria S.P.A Roma, dhe "Sebba Messtechnic Klagenfurt", studio e cila kryente projektimin dhe rehabilitimin e ujësjellësit të Durrësit.

1998-1999: Inxhinier supervizor në njësinë e zbatimit të projektit të Bankës Botërore (PIU), në projektin e rehabilitimit të ujësjellësit Durrës.

Veprimtaria politike:

Dhjetor 1991: Anëtar i FRESH-it.

Mars 1992: Anëtar i PSSH-së, delegat i Durrësit në të gjitha Kongreset e PSSH-së.

1994-1997: Kryetar i FRESH-it, rrethi Durrës.

1995-1996: Anëtar i Kryesisë së FRESH-it.

1992-1998: Anëtar i Kryesisë së PSSH-së, rrethi Durrës.

1996-1997: N/kryetar i PSSH-së, rrethi Durrës.

1996-2001: Anëtar i Këshillit Bashkiak Durrës.

1997:  Sekretar politik i PSSH-së, rrethi Durrës.

1996 e në vazhdim, anëtar i Asamblesë Kombëtare të PSSH-së.

1998- 2008: Kryetar i PSSH-Së, rrethi Durrës.

2000-2001: Anëtar i Këshillit të Qarkut Durrës dhe anëtar i Kryesisë së Këshillit të Qarkut Durrës.

2007- 2010: Sekretar rajonal i PSSH-së, qarku Durrës.

2003-2005: Kryetar i delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të BEP-it (WEO).

2007- 2009: Anëtar i Këshillit Bashkiak Durrës.

Zgjedhur në legjislaturat XVI, XVII.

Komisioni Parlamentar: Komisioni për Sigurinë Kombëtare, anëtar.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/