DURRËS, 8 maj 2013– Një i ri nga Tirana është arrestuar në portin detar të Durrësit për trafik narkotikësh.

Endris Naqellari, 28 vjeç nga Lapraka, është arrestuar në flagrancë paraditen e së mërkurës, pas rezultateve të kontrollit të ushtruar mbi automjetin e tij.

Para imbarkimit në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari i riu është ndaluar në terminalin e trageteve për t’iu nënshtruar një kontrolli, që ka rezultuar pozitiv, nga agjentët e antidrogës.  

Në automjet është gjetur sasia prej 6 kilogramësh e 60 gramë lënde narkotike e llojit kanabis sativa, e cila ishte fshehur në gomat e mjetit.

Ndaj 28 vjeçarit të vënë nën arrest është ngritur akuza e trafikut të lëndëve narkotike, ndërkohë që grupi hetimor po punon për zbulimin e emrave të tjerë të përfshirë në këtë trafik dhe vendorigjinën e bimës narkotike, që paraprakisht dyshohet të jetë në fshatrat e thella të kryeqytetit ose në malësinë e Krujës.

/v.q. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/