DURRËS, 8 maj 2013- Në Durrës aq vota sa sjell Lefter Koka [i LSI-së] për opozitën, i heq Agron Duka [i PR-së] për Berishën, mendon analisti dhe botuesi i “TemA”-s Mero Baze në një intervistë për të përditshmen “Dita”.

Listat e kandidatëve për deputetë kanë shkaktuar komente të shumta, sidomos “përplasja” në qarkun e Durrësit midis kunetërve Agron Duka e Lefter Koka.

Baze thotë se “Vlora, Fieri dhe Durrësi janë tre qarqet që opozita synon të bëjë diferencën e thellë. Objektivi i saj është ta nxjerrë Vlorën 8 me 4, Fierin 10 me 6 dhe Durrësin 7 me 6. Në të tre këto qarqe Berisha ka pas pak shanse t’i mbijetojë politikisht këtij rezultati dhe shansi po i vjen nga gabimet e opozitës. Agron Duka po kandidon për Berishën, ndërkohë që një muaj më parë ka qenë Sekretar i Programit për Bujqësinë në PS dhe i anatemuar prej Berishës. Përse ndodhi kjo? Natyrisht që Duka ka kusuret e veta, por problemi i komunikimit dhe transparencës në listë ka peshën kryesore. Ai po shkon sot të hakmerret ndaj PS dhe jo të fitojë. Është duke bërë diçka primitive, por për shkak të një gabimi thelbësor politik nga Rama, që nuk di të vendosë komunikimin me ekipin e tij”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/