TIRANE, 8 maj 2013- Ish-deputeti socialist, Kastriot Islami, tashmë kandidat i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit, e cilëson ofertën e PD-së si një vlerësim që i bëhet eksperiencës së tij shumëvjeçare në politikë, në një kohë që, siç tha ai, socialistët e shpërfillën kontributin dhe mendimin e tij. Në një intervistë  në media, Islami komentoi listat e kandidatëve të PD-së dhe PS-së, ndërsa akuzoi kryetarin e opozitës, Edi Rama, se po privatizon Partinë Socialiste.

“Një njeri me kaq shumë eksperiencë nuk është vlerësuar. Partia ku unë investova nuk ka më nevojë për eksperiencën time, mendimin tim, kontributin tim, kjo është e para, ndërkohë që ana tjetër e merr dhe e vlerëson këtë kapacitet. Njëra anë më kërcënon, tjetra e vlerëson qëndrimin tim në funksion të stabilitetit. Ndërkohë që unë shprehem pro integrimit, njëra anë e dënon pse unë jam pro integrimit kurse ana tjetër e vlerëson këtë fakt. Nuk më ka joshur mua zoti Berisha duke më vlerësuar, por ka ndodhur momenti tjetër që zoti Rama e ka shpërfillur vlerën time, nuk i duhej. Rasti tjetër ishte dhe ai i zotit Malaj”- u shpreh Islami.

Në lidhje me listat e kandidatëve të partive politike, të publikuara një ditë më parë Islami u shpreh duke thënë se: “Të dy palët kanë hequr deputetë. Secila palë ka kriteret e veta. Mund të ketë të kënaqur apo të pakënaqur, por rëndësi kanë më shumë ata që vendosen dhe jo ata që hiqen. PS ka ndërtuar një ekip që është më shumë klientelist, i përbërë me njerëz jashtë politikës. Zoti Berisha ka vendosur kryetarët e partive aleate. Efikasiteti është një çështje që ka avantazhe dhe disavantazhe. Gjithë çështja bëhet kush motivon më mirë ekipin për të grumbulluar më shumë vota.”- theksoi ai.

Duke iu referuar përjashtimit të Arben Malajt nga listat e PS-së, Islami tha se Partia Socialiste nuk është më parti e socialistëve të vërtetë. Sipas tij, Rama e ka futur PS-në në një rrugë të gabuar.

“Ajo parti u privatizua nga Rama e Kokëdhima. Nëse nuk ka më një parti unë nuk kam kohë të harxhoj. Zoti Rama praktikisht më tha ose dil jashtë dhe dil në humnerë. Rama nuk ka asnjë lloj kapaciteti politik, juridik dhe ky njeri merr dhe Koco Kokëdhimën vendosin kritere që do të eliminojmë të gjithë kundërshtarët dhe do ta bëjmë listën ashtu siç duam ne. Zoti Malaj sot ndodhet në një situatë të tillë, ku zoti Rama nuk e vendos fare në listën për deputet. Ja tha vetë ti nuk je në rezonance me projektin tim. Përveç mbështetjes së zotit Nano, shumë socialistë të ndershëm do ta mbështesin zotin Malaj. Jam skeptik, që PS do të ketë forcat për të dalë nga ky batak ku e ka futur zoti Rama.”- deklaroi Islami.