TIRANË, 8 maj 2013- Ditën e sotme kryeministri Sali Berisha ka qënë i pranishëm në përurimin e fillimit të punimeve për impiantin e ujërave të ndotura në Orikum, të Vlorës. 

Nga Orikumi Berisha nuk ka kursyer komentet në lidhje me kandidimin e kreut të PS-së, Edi Rama në qytetin e Vlorës. Sipas tij, meqë Rama e ka selinë në Tiranë, duhet të kandidonte atje. 

“Kryetari ka selinë në Tiranë, duhej të kandidonte në Tiranë, por unë nuk ndërhyj në punët e brendshme të PS”, tha ai. 

Berisha më tej ironizoi edhe kandidatin e tretë në listat e PS-së, Koco Kokëdhima, duke thënë se vendosja e tij në listën e Vlorës është e pafalshmë.  

“Në Vlorë nuk erdhi Rama, erdhi Koçua. Një gjë iu them, t’ju sjellë Koçon është e pafalshme”, tha Berisha.

“Koçua njihet si njeriu që fitonte çdo tender rruge. Shkollave të Koços, u prishej tavani. Koçua i detyrohet bashkisë së Tiranës miliona euro”, tha më tej Berisha.  

Berisha shtoi më tej se në Himarë për Koco Kokëdhimën Këndohet një këngë që thotë: “Kush t’i lidhi sytë, Kocua ynë”.

Sipas tij kjo këngë i këndohet ngaqë i ka zënë sytë Himarës me pallate. 

Më tej Berisha nënvizoi se, Kokëdhima është kryetari i zotit Rama.