TIRANE, 7 maj 2013– Presidenti Bujar Nishani shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të senatorit italian, Giulio Andreotti.

Në mesazhin e tij të ngushëllimit Presidenti shqiptar shkruan:

“Lajmi se senatori i përjetshëm Giulio Andreotti ndërroi jetë më ka prekur thellë, mua dhe popullin shqiptar. Andreotti do të kujtohet me një respekt të merituar, si një politikan me një karrierë të gjatë dhe të pasur politike, si një personalitet i shquar dhe me vizion, i cili e lidhi emrin e tij në mënyrë të pazgjidhshme me fatin e Italisë së gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, duke lënë gjurmë në momentet kryesore të saj, madje duke formësuar politikën italiane sipas modelit të tij. Me këtë rast, i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta popullit mik italian, të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të tij”, përfundon mesazhi i ngushëllimit.