DURRES, 7 maj 2013– Ditën e djeshme policia e Durrësit ka plotësuar Kërkesë-Padia për Lëshimin e Urdhërit të Mbrotjes së Menjëhershme për një shtetase 33-vjeçare, banuese në Durrës, e cila deklaron se është dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht në mënyrë sistematike nga bashkëjetuesi i saj, shtetasi P.P., 39 vjeç.

Mbrëmjen e djeshme rreth orës 22.00, policia ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit Th.M., 53 vjeç, banues në Durrës. Në kallëzimin që bashkëshortja 50-vjeçare e këtij shtetasi ka bërë në Polici më datë 06.05.2013 shpjegon se është kërcënuar me jetë prej tij, pas konflikteve të vazhdueshme që kanë pasur.

Kjo shtetase më datë 04.05.2013 është pajisur me urdhër mbrojtje (vendim gjykate datë 04.05.2013), vendim i cili është shkelur nga shtetasi TH.M., 53 vjeç.

Gjithashtu po mbrëmjen e djeshme rreth orës 23.00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S.M., 21 vjeç, banues në Durrës.

Arrestimi i 21 vjeçarit u bë pasi me datë 06.05.2013 ndaj tij ka bërë kallëzim penal një shtetase e moshës 20-vjeçare, banuese në Durrës, e cila shpjegon se rreth orës 18.30, është dhunuar fizikisht nga ky shtetas me të cilin ka bashkëjetuar.

Ndërkohë sipas policisë, me veprimet në fjalë ky shtetas ka shkelur urdhërin e mbrojtjes të datës 21.04.2013 të lëshuar nga Gjykata e Rrethit të Durrësit.

Materialet proceduriale per veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimit te gjykatës” për këta shtetas iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.