PRISHTINË, 6 maj 2013 –Naser Kelmendi, i cili konsiderohet si njëri prej bosëve të drogës në Ballkan dhe Evropë, është arrestuar nga Policia e Kosovës, në orët e vona të së dielës.

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media, ka thënë se në bazë të angazhimeve dhe punës së vazhdueshme policore, është arritur të lokalizohet vendndodhja e personit të dyshuar i cili kërkohej me flet arrest ndërkombëtar.

Më 5 maj 2013 rreth orës 20:00, policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar, njeri prej tyre kërkohej me fletë arresti ndërkombëtar, ndërsa tjetri për dyshimin e bazuar se ka ofruar ndihme personit të kërkuar nga policia.

Gjatë këtij operacioni policor janë kontrolluar edhe dy objekte në shfrytëzim të personave të dyshuar si dhe janë konfiskuar dëshmi të ndryshme duke përfshirë edhe dy vetura.

Personat e arrestuar janë dërguar në qendrën e mbajtjes, për të vazhduar me procedurat e mëtutjeshme.

56-vjeçari Naser Kelmendi, shtetas boshnjak me prejardhje nga Kosova, ndodhet në listën e Shteteve të Bashkuara si një nga bosët ndërkombëtarë të drogës.

Kelmendi ka një kohë të gjatë që gjendet në listën e më të kërkuarve të Interpolit, dhe po ashtu kryeson listën e personave më të rrezikshëm në Evropë, të administratës amerikane.

Mediet në disa vende Ballkanike e cilësojnë atë si një prej njerëzve kryesor të krimit të organizuar ne rajon, ndërsa në listën amerikane emri i Naser Kelmendit radhitet përkrah atij të kreut të kartelit meksikan të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah/