PEKIN, 6 maj 2013 –CRI (China Radio International – Radio e Jashtme e Kinës) nisi të dielën, më 5 maj 2013, transmetimet eksperimentale në FM në Shqipëri, në frekuencën 106 Megaherc.
Pas 1 korrikut 2013, kur do të nisin zyrtarisht transmetimet e kësaj radioje, do të ofrohet një program i përditshëm 18 orësh, me lajme të ndryshme nga Kina, rubrika të larmishme dhe muzikë të përzgjedhur enkas, njoftoi CRI-ja.
Programet do të jepen në shqip, ndërsa radiostacioni me qendër në Tiranë, do të mund të dëgjohet nga një e treta e popullsisë së Shqipërisë.
“Shpresojmë që nëpërmjet radios sonë dëgjuesit në Shqipëri do të njihen më shumë me Kinën, me zhvillimet e fundit, jetën këtu; do të kenë mundësi të mësojnë edhe gjuhën kineze falë rubrikave të posaçme, ndërsa do të shijojnë edhe muzikën më të fundit nga Kina, Azia, por edhe mbarë bota; me anë të kësaj radioje, ne duam të bëhemi pjesë e të përditshmes së shqiptarëve”, tha Qu Ning (me nofkën “Vera”), përgjegjëse e seksionit shqip të Radios së Jashtme të Kinës.
Nisja e transmetimeve në FM në Shqipëri, u bë në të njëjtën kohë me hapjen e radiostacioneve në Tbilisi të Gjeorgjisë e në Aman të Jordanisë.
Kështu, shkon në 90 numri i stacioneve FM, që CRI ka në të gjithë botën, ndërsa numri i gjuhëve në të cilat transmeton, është 64.
Sipas drejtuesve të Radios së Jashtme së Kinës, nisja e transmetimeve të këtyre stacioneve, përfshirë edhe atë në Tiranë, do të ndikojë në përhapjen më të gjerë të “zërit të Kinës” në botë dhe do të do të ndihmojë në thellimin e marrëdhënieve mes Kinës dhe vendeve të ndryshme.
Redaksia e Shqipes e Radios së Jashtme të Kinës u krijua në vitin 1969.
Një program prej 60 minutash në gjuhën shqipe transmetohet me valë të mesme nga territori shqiptar dhe mbulon tërë Shqipërinë.
Njëkohësisht, jepen çdo ditë edhe 90 minuta programe në valë të shkurtra.
Partia Demokratike e Shqipërisë në qeverisje dhe Partia Socialiste e Shqipërisë në opozitë kanë vendosur kontakte shumë të mira partiake me Partinë Komuniste të Kinës.
Kryeministri shqiptar Sali Berisha ka vendosur mësimin e kinezishtes në arsimin parauniversitar.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





