DURRES, 6 maj 2013- Ankesat e përvitshme të frekuentuesve të plazhit të Durrësit nuk merren parasysh nga pushteti lokal, ndaj për të përdorur rërën e plazhit edhe për këtë sezon, thuajse je i detyruar të paguash. Hapësirat e plazheve publike do të mbeten të njëjta me një vit më parë, ku nga 100 plazhe të planifikuar për këtë sezon, vetëm 4 prej tyre mund të shfrytëzohen nga pushuesit për të vendosur çadrën pa pasur nevojë të paguajnë për këtë. Konfirmimi vjen nga kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili pohon se katër plazhe publike me një sipërfaqë totale prej 800 metra katrorë do të jenë në dispozicion të pushuesve të cilët mund ti shfrytëzojnë përgjatë sezonit turistik pa pasur nevojë të paguajnë për to. Ky raport mes plazheve publike e private, sipas Dakos është vendosur për shkak se institucioni që ai drejton nuk ka kapacitetet e duhura për të pastruar dhe mirëmbajtur hapësirat publike. Sipas tij, nëse do të kishte më shumë hapësira publike, mirëmbajtja e tyre do të vihej në diskutim dhe kalimi i plazheve tek privati do të lehtësojë administratën e bashkisë nga ana e mirëmbajtjes. Por nga ana tjetër, plazhet privatë pritet të sjellin më shumë të ardhura në arkën e bashkisë së qytetit, që sipas Dakos do të do të shkojnë në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës së zonave turistike.
Tarifat për plazhet private do të mbeten të pandryshuara me një vit më parë, ku çdo subjekt për të pasur një plazh privat me një sipërfaqe prej 200 metra katror, i duhet të paguajë 360 mijë lëkë të reja. Këto tarifa pritet të çojë më shumë të ardhura në arkën e bashkisë, por nga ana tjetër pritet të reflektohet edhe në xhepat e pushuesve, të cilët mund të përballen me tarifa më të larta shërbimi për çadrat dhe shezllone përgjatë këtij sezoni.
Një tjetër problem shqetësues për bashkinë mbeten dhe plazhet private, të cilët duke shkelur kontratën nuk respektojnë distancën nga bregu i detit me pjesën e marrë nën administrim sezonal, duke i shtrirë shezllonet deri pranë vijës së ujit, por edhe duke rrethuar plazhet me mjete primitive. Për rastet në fjale, Dakos sqaron se policia bashkiake do të ndërhyjë për të ushtruar të gjithë kompetencat e saj përballë çdo abuzimi. Megjithëse sezoni veror nuk është çelur zyrtarisht dhe bashkia ende nuk ka dhënë asnjë leje për plazhe private, bizneset kanë nisur punën për të krijuar para godinave plazhe private, të cilat i vënë në shërbim të pushuesve ditor.
Çmimet e plazheve private në bregdetin e Durrësit variojnë sipas vendeve ku ato ndodhen. Luhatja nga njëri sektor në tjetrin për shkak të kushteve që të ofron ka një diferncë në masën 10-30 përqind më shumë se vlera apo më pak. Kështu, një çadë e shoqëruar me dy shezllone në plazhet private në sektorin “Teuta” e “Apollonia” kushton 300 lekë të reja, në sektorin “Hekurudha” e“Iliria” 300-800 lekë të reja.
Në raport me plazhet private, tendenca për të frekunetuar zonat publike mbetet më e lartë, ndaj plazhet publike të përcaktuara nga bashkia konsiderohet si të pamjaftueshme për pushuesit e bregdetit të Durrësit, të cilët apelojnë për më shumë hapësira publike. Por nga ana tetër, as kjo hapësirë e vogël e lënë për plazhet publike nuk vihet në funksion për pushuesit, por lakmohet nga privatët. Ndaj, për ti paraprirë fenomenit ë një viti më parë ku plazhet publike u zaptuan nga privatët, Dako sqaron se nëpërmjet inpektoreve të policise bashkiake do te bëhet displinimi dhe penalizimi i kundravajtësve të cilët tentojnë të shkelin hapësirat e përcaktuara.
/e.a. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/





