TIRANE, 6 maj 2013- Në prag të regjsistrimit të kandidatëve për deputet në KQZ, kreu i prezencës së BE-së në Tiranë Ettore Sequi ka kërkuar që partitë politike të respektojnë kuotën e 30 përqind për përfaqësimin e grave.
Duke folur pas aktivitetit me temë “Zhvillimi i demokracisë përmes barazisë gjinore”, ambasadori Sequi u shprehse nuk ka arsye që partitë të justifikojnë mospërfshirjen e grave në politikë.
“Në axhendën tonë është me interes përfshirja e grave në politikë. Nuk ka arsye që partitë të justifikojnë mospërfshirjen e grave në politikë. Në tetor Bashkimi Europian paraqet raportin për Shqipërinë. Në raport përveç ecurisë së zgjedhjeve do të donim të kishim edhe arritjen e kriterit për përfaqësimin prej 30 përqind të femrave në politikë. Sot dorëzohen listat zgjedhore dhe presim që të plotësohet kriteri 30 % për femrat”- theksoi Sequi.
Konferenca “Zhvillimi i demokracisë përmes barazisë gjinore” është një sesion pune për të finalizuar rekomandimet drejtuar partive politike dhe institucioneve kompetente, për një përfshirje më të madhe të grave në zgjedhjet parlamentare 2013, zbatim të parashikimeve në Kodin Zgjedhor, mbështetje sa më të madhe të grave kandidate gjatë fushatës zgjedhore, vëmendje sa më të lartë ndaj problematikave të grave dhe vajzave për futjen e tyre në programet e partive politike, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e mbështetjes dhe promovimit të barazisë gjinore në politikën Shqiptare.





