DURRËS, 5 maj 2013– Është përkujtuar edhe në Durrës Dita e Dëshmorëve. Pushtetarë vendorë, deputetë, përfaqësues të forcave politike, veteranë dhe qytetarë nderuan ata që dhanë jetën për atdheun, por edhe këtë herë të gjithë janë treguar indiferentë ndaj nevojës për mirëmbajtje të Mauzoleut të Dëshmorëve.

Disa prej pllakateve janë të dëmtuara. Nga kushtet atmosferike, apo veprimtaria e qëllimtë njerëzore, emrat e disa dëshmorëve nuk janë të plotë.

Gërmat kanë rënë dhe askush nuk është kujtuar t’i zëvendësojë, duke i kthyer ceremonitë e përvitshme në një traditë rutinë, larg nderimit real, që duhet të nisë që nga mirëmbajtja, përkujdesja, për të vijuar më tej me homazhet e ceremonitë. 

Veteranët e LANCC-it nuk reagojnë. Vite të shkuara ndjeshmëria e tyre ndaj mauzoleut ishte tejet e madhe aq sa të shkaktonte dhe incident diplomatik. E quajtën përdhosje të kujtimit të dëshmorëve, bashkëjetesën e bibliotekës britanike në godinën e mauzoleut.

Reagimi i fortë regjistroi dhe incidentin e shëmtuar me aktorin e madh britanik Norman Wisdom, i njohur botërisht si Pitkini, i cili u godit me ccelësa në fytyrë, teksa nderoi me mirësjellje me grusht veteranët e luftës, që mbanin medaljet e diktaturës të varura në xhaketë dhe ishin të vendosur të prishnin ceremoninë e përurimit të bibliotekës britanike në Durrës.

Pitkinit nuk iu hoq buzëqeshja dhe pas kësaj, madje ftoi për qetësi dhe organizatorët shqiptarë të turpëruar nga ndodhia që diktoi fatin e projektit për zgjerimin e bibliotekave britanike në të gjithë rrethin e Durrësit.

Një buzëqeshje që apelon dhe fton për vëmendjen e duhur ndaj gjakut të atyre që dhanë kontribut në ndërtimin e shtetit të sotëm shqiptar dhe bënë historinë e qytetit tonë dhe krejt vendit. 

/v.q. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/