TIRANE, 5 maj 2013– Përkujtohet sot Dita e Dëshmorëve. Krerët më të lartë të shtetit dhe të politikës shqiptare nderuan me respekt dhe përulje Dëshmorët që ranë për Atdheun. Ata vendosën kurora me lule në memorialin “Nënë Shqipëri”, në "Varrezat e Dëshmorëve".
Si çdo vit në respekt të traditës, edhe këtë 5 maj mazhoranca dhe opozita i zhvilluan homazhet të ndara. Por ky vit pati një ndryshim pasi PS dhe LSI pas disa vitesh i zhvillojnë në të njëjtën orë homazhet, duke mos u kufizuar nga oraret.
Paraditen e sotme në “Varrezat e Dëshmorëve” në Tiranë zhvilluan homazhe, Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të lartë të kabinetit qeveritar, të cilët nderuan dëshmorët dhe vendosën kurora me lule.
“Çdo shqiptar përulet me nderimin më të madh para këtyre të rënëve të atdheut. Nderime për të rënët e kombit pasi bënë të mundur që Shqipëria të jetë e lirë”, vuri në dukje Kryeministri Berisha, në përfundim të këtij ceremoniali.
Rama: Shqiptarët ndihen të tradhtuar
E majta e bashkuar ka zhvilluar homazhe në nder të dëshmorëve, ku ka zhvilluar një ceremoni të veçantë për “Ditën e Dëshmorëve”.
Kreu i PS-së Edi Rama në fjalën e tij theksoi se shqiptarët sot ndihen dyfish të tradhtuar, pasi sipas tij janë shuar ëndrrat dhe idealet e Luftës Nacional Çlirimtare dhe ëndrrat dhe idealet që nxorën shqiptarët në rrugë për t’u ndarë nga regjimi komunist.
“Çdo vizitë në varrezat e dëshmorëve është njëkohësisht edhe një vizitë në varrezat e idealeve të tradhtuar nga ata që e sundojnë sot Shqipërinë, si shëmbëlltyra e një tradhtie të dyfishtë. Në këtë ditë të rëndësishme çdo qytetar gjendet përpara një zgjedhjeje siç ishte ajo e 92-it për të pozicionuar në rrënimin e mëtejshëm apo në hapjen e një perspektive të re”, tha Rama.
Ky i fundit ka vlerësuar bashkimin e së majtës, si një alternativë pozitive për të ardhmen, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm duke kapërcyer të shkuarën dhe duke e shfrytëzuar atë, që të mos përsëriten më të njëjtat gabime.
“Ky 5 maj është i rëndësishëm pasi jemi të gjithë socialistët bashkë. Jemi të gjithë përfaqësuesit e popullit shqiptar, që në shumicë dërmuese kërkon kthimin e të drejtës për të qeverisur popullin shqiptar. Këtu në këtë 5 maj, ne jemi krenarë që kapërcyem mbi të shkuarën që na ndante, dhe u bashkuam për të shkuarën që na bashkon. Ne sot jemi shumë të vetëdijshëm për faktin se e shkuara është një thesar i madh me të gjitha burimet e frymëzimit për të ardhmen, por edhe një thesar i madh për të nxjerrë mësimet e duhura”, tha Rama.
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vënë sërish theksin në rëndësinë e zgjedhjes që qytetarët duhet të bëjnë në zgjedhjet e 23 Qershor.
“Ne jemi përkrah qytetarëve, si njerëz që nuk janë të pagabueshëm, por edhe si njerëz që janë të gatshëm për t’i dhënë atyre alternativën e drejtë, duke i dhënë fund rrënimit dhe papunësisë, dhe duke i dhënë fund të grup njerëzish që e kanë bërë të pamundur të mbijetosh. Me votë plebishitare në 23 Qershor, do të tregojmë vullnetin e shqiptarëve” shtoi më tej Rama.
Meta: Të votojmë 3 ligjet
Ndërsa kreu i LS-së, Ilir Meta përsëriti edhe njëherë mesazhin e tij për miratimin e tre ligjeve që kërkohen për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas tij, përkujtimi dhe lartësimi i veprës së dëshmorëve të luftës, kërkon edhe një përkushtim akoma më të madh, atë për çuarjen përpara të vendit.
“5 maji nevojitet për të lartësuar më tej kujtimin dhe veprën e dëshmorëve të luftës. Ndërsa tani të miratojmë sa më shpejt 3 ligjet, në mënyrë që vendi të hyjë sa më shpejt në BE dhe shpresojmë që kryetari i PD-së të japë kontributin e tij në këtë drejtim”, tha në fjalën e tij Meta.





