DURRES, 5 maj 2013- Një panoramë aspak ftuese për turistët, ofrohet në plazhet e Durrësit në këtë prag sezoni. Nga plazhi i Currilave e deri në afërsi të Shkëmbit të Kavajës, vija bregdetare është kthyer në një kantier ndërtimi.

Punimet e nisura për kryerjen e disa investimeve njëkohësisht edhe ndërtimi i objekteve shumëkatëshe, i kanë kthyer këto zona turistike në një vend aspak të përshtatshëm për pritjen e turistëve. Në një gjatësi prej 7 km nga Plazhi i Currilave deri në Sektorin “Iliria”, ka nisur të shfrytëzohet nga ndërtues të ndryshëm, të cilët duke përfituar nga fushata elektorale por edhe sezoni turistik, kanë nisur ngritjen e objekteve. Përballë këtij fenomeni  shkatërrues për turizmin, ku vetëm pak metra larg bregut të detit ndërtimet vijojnë edhe sot, ka reaguar kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Në një prenoncim për mediat, Dako paralajmëron  të gjithë  ndërtuesit që shfrytëzojnë fushatën zgjedhore në prag të sezonit turistik, për të ndërtuar në mënyrë abuzive,  që shteti shteti ligjor do të funksionojë edhe  përtej 23 qërshorit.

“Pa diskutim të gjithë ndërtimet pa leje që kanë nisur të ndërtohen rishtas apo edhe ata ekzistuese përgjatë zonave turistike do të prishen, ndërsa pronarët nëse janë përsëritës të rastit do të gjobiten. Qëllimi ynë mbetet disiplinimi i hapësirave të përbashkëta në të mirë të zhvillimit, përtej interesave të ngushta të individëve të caktuar”- shprehet Dako.

Pos ndërtimeve të lehta e shumëkatëshe që kanë zënë çdo pëllëmbë të bregdetit, në Durrës janë bërë edhe ndërtime pa leje në det, siç janë molet. Të gjithë këta objekte shkarkojnë ujërat e ndotura në det në mënyrë abuzive, duke bërë që niveli i i ndotjes në vijën bregdetare nga Currilat e deri në plazhin "Iliria" të jetë mjaft shqetësues. Agjencia e mjedisit në Durrës gjatë inspektimeve të herëpashershme  ka konstatuar ndotje të lartë përsa i përket mbeturinave të papërpunuara, si dhe betonizimit nga ndërtimi i moleve pa leje. Në një masë të madhe, lokalet pranë bregut të detit nuk kanë kanalazime, ndërsa rasti më flagrant i konstatuar gjatë inspektimit kanë qenë inertet e ndërtimit  të derdhura në det për të cilat janë vënë gjoba, ndonëse ende nuk  po punohet për pastrimin e bregdetit.

Nga ana e tij drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit Ramazan Kalia, ia  faturon situatën bashkisë së qytetit, duke bërë të ditur se është përgjegjësia e kësaj të fundit shembja dhe kthimi në gjendjen e e mëparshme, atë pjesë të dëmtuar e të ndotur.

"Ne si agjenci rajonale e mjedisit, kemi vetëm të drejtën e konstatimit dhe vënien në dijeni njësitë vendore, pasi këta të fundit marrin masa për parandalimin ose prishjen e këtyre objekteve, që janë të ndërtuara përgjatë vijës bregdetare. Pavarësisht se kemi informuar bashkinë për të gjitha ndërtimet që kemi konstatuar, madje në disa raste dhe e kemi gjobitur deri më tani asnjë masë konkrete nuk është marë,"- deklaroi Kalia.  

Sezonin e kaluar molet e ndërtuara në zonën e Currilave, u bënë shkas për akuza e kundër-akuza, mes Agjensisë Rajonale të Mjedisit dhe bashkisë së qytetit, ndërkohë që e njëjta situatë rrezikon të përsëritet edhe këtë sezon, nëse  betonizimi pa leje  nuk frenohet.

/e.a. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/