DURRES, 4 maj 2013- Dëmshpërblimi për ish të përndjekurit politikë do të përfundojë brenda tre vjetësh. Garancia vjen nga Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, i cili tha se Partia Demokratike ka një program të qartë, i cili ndikon drejtpërdrejtë në përfundimin e gjithë procesit. Në një takim me ish të përndjekurit politik të qytetit të Durrësit, Halimi theksoi se pjesa më e madhe e dëmshpërblimeve janë shpërndarë gjatë procesit të nisur nga qeveria që në vitin 2005, ndërsa brenda tre viteve të ardhshme do të përfundojë dhënia e dëmshpërblimit.

"Për vitet e ardhshme Partia Demokratike ka një program të qartë. Ka një program i cili është i prekshëm. Ka një program i cili ndikon drejtpërdrejtë në përfundimin e gjithë procesit. Ne kemi premtuar që brenda shtatë viteve, në vitin 2008 të shpërblejmë në mënyrë të plotë të gjithë të përndjekurit dhe brenda tre viteve të ardhshme ne do të përfundojmë premtimin e kryeministrit Sali Berisha"- tha Halimi.

Shoqata e të Perndjekurve Politikë  Demokratë në Durres në takimin me ministrin Halimi dhe deputetin Igli Cara ka rikonfirmuar mbështetjen për koalicionin e djathtë në zgjedhjet e 23 qershorit. 

/e.a. Agjensia e lajmeve “Dyrrah”/