Superliga

Fitorja minimale me Laçin fut durrsakët në Europa League. Flamurtari, gati për riformatim

DURRES, 4 maj 2013– Teuta siguron zyrtarisht një vend në Europë, pasi arriti të mundë dje 1-0 Laçin në takimin hapës të javës së 25. Skuadra durrsake arriti të realizojë objektivin e saj në kampionat, duke mundur me rezultat minimal kurbinasit, që tashmë vëmendjen e kanë më shumë te finalja e Kupës së Shqipërisë me Bylisin, sesa në kampionat.

Ekipi i Maganit dhe pse e dominoi tërësisht takimin, e gjeti golin e fitores vetëm në fraksionin e dytë, ku ishte mbrojtësi Tefik Osmani që arriti të dërgojë topin në rrjetë. Fitorja pati një vlerë të rëndësishme për ekipin durrsak, pasi ajo u ngjit për momentin në vendin e dytë në renditje, me një avantazh prej dy pikësh nga Kukësi, që për momentin ka një ndeshje më pak. Për më tepër që ky sukses siguron përfundimisht dhe një vend në Europa League për skuadrën durrsake për sezonin e ardhshëm, pavarësisht rezultatit që do të arrihet nga Flamurtari, pasojë e faktit që në ndeshjet direkte durrsakët janë më mirë ndaj vlonjatëve teksa kanë arritur një fitore dhe një barazim.

Kalendari i kampionatit vë përballë sot në Shkodër Vllazninë dhe Flamurtarin, skuadra që përtej emrave dhe traditës që përfaqësojnë në futbollin shqiptar, do t’i ngjajë më shumë një ndeshjeje të kampionatit të të rinjve, pasi drejtuesit shkodranë dhe vlonjatë e kanë pranuar dështimin dhe po mendojnë më shumë për sezonin e ardhshëm. Por nëse për Vllazninë largimi nga objektivat ka qenë më i hershëm, Flamurtari e mori goditjen përfundimtare në përballjen direkte me Kukësin për vendin e dytë, ku formacioni i Ernest Gjokës pësoi humbjen më të thellë sezonale, që në njëfarë mënyre hodhi poshtë gjithë atë mund dhe sakrificë në këtë fazë të dytë të sezonit.

Në këto kushte, në Vlorë po hartojnë ndryshimin e strategjisë, për të shmangur shpenzimet e mëdha, që në fund të fundit nuk po sjellin rezultatet e pritshme. Në qytetin bregdetar nuk mund të pranojnë që një skuadër që ka në përbërje futbollistë që përfitojnë 100 milionë në vit, nuk arrin jo vetëm të fitojë trofe, por as të sigurojë një vend në Europa Ligë. Shumë nga lojtarët me kontrata të majme pritet ta mbyllin aventurën kuqezi në fund të këtij sezoni, ndërsa detyra e stafit teknik do të jetë krijimi i një grupi me futbollistë, ndoshta jo me shumë emër, por që kanë uri për të fituar.