TIRANE, 4 maj 2013Posta shqiptare ka kujtuar sot 100-vjetorin e emetimit të pullës së postës shqiptare. 

Ceremonia u mbjat në Muzeun Historik Kombëtar ku është çelur një ekspozitë, në të cilën ku pasqyroheshin pullat e postës në 100-vite.

Në këtë ceremoni i pranishëm ka qenë edhe kryeministri Sali Berisha, i cili e vlerësoi këtë ditë si historike. 

“Sot shqiptarët kremtojnë një ditë të shënuar në historinë e tyre, ditën e emetimit 100 vjet më parë të pullës së parë shqiptare të shtetit pak mujor aso kohe, të pavarur shqiptar. Ky moment ishte një eveniment shumë i rëndësishëm për konsolidimin e pavarësisë. Pas vulës së qeverisë vula postare ishte vula de juro dhe de fakto e shtetit të ri shqiptar. Ka përfaqësuar denjësisht Shqipërinë zyrtare, është bërë zëdhënëse e shkëlqyer e të gjitha fushave të jetës së këtij kombi”, tha kryeministri. 

Për kreun e qeverisë Posta Shqiptare ofron sot një shërbim që promovon gjithnjë e më shumë zhvillimin e Shqipërisë dixhitale, nga një shërbim që po degradonte pak vite më parë, siç tha kryeministri. 

“Posta shqiptare feston këtë ngjarje me një përgjegjësi të madhe, të përmbushur. Drejtimi eficent i saj, përkushtimi i punonjësve, mbështetja e qeverisë ka bërë që nga një shërbim që po degradonte e po i largohej qytetarit, që ishte kthyer në një problem të jetës sot është një nga shërbimet më të mira, më të shpejta e serioze. Me teknologjinë më të lartë, më moderne që ekziston sot. 1250 zyra të vendit shpërndajnë sot internet falas. Përgëzoj që gjithë punonjësit e drejtuesit për mënyrën dinjitoze që festojnë sot 100 vjetorin e pullës së parë shqiptare, për sukseset e arritura në një kohë relativisht të shkurtër”, tha kreu i qeverisë më tej.

Pulla postare është një simbol i historisë, traditës dhe zhvillimit të një vëndi.

Me emëtimin e pullës së parë shqiptare zuri fill filatelia jonë kombëtare, e cila ka qënë kurdoherë pjesë dhe shprehëse e identitetit tonë kombëtar. Vetë udha e gjatë dhe e bukur , e pullës është një pasuri e vyer e jona. Si pasqyrë adekuate e historisë së popullit shqiptar, ajo ka patur perherë fytyrën e saj të papërsëritshme, portretin e vet autentik. Ky portret filloi të skicohej menjëherë pas Aktit madhor – Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912.  Fillimisht, me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, për vetë rrethanat në të cilat ndodhej administrata e Qeverisë së Ismail Qemalit, vazhduan të ekzistojnë postat osmane. Madje ishin po ata nëpunës, që deri në maj 1913, përdorën vulat dhe pullat turke. 

Gjërat hynë në normalitet duke filluar nga 5 maji i vitit 1913, kur u emetua dhe u vu në qarkullim  pulla e parë kombëtare shqiptare. Qeveria e Ismail Qemalit, duke patur në përbërje të saj si Ministër të Postave intelektualin e njohur Lef Nosi, i kushtoi vëmendje të vecantë veprimtarisë postare përgjithësisht dhe emetimit të pullave posacërisht. Vetëm në pak muaj të ekzistencës së saj, më 7 korrik 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës bëri kërkesë për antarësim në Bashkimin Postar të Përbotshëm, realizimi i së cilës zgjati më shumë se tetë vjet. Pikërisht në tetor të vitit 1922 Shqipëria u bë anëtare e UPU-së. 
Po kështu, nisur nga nevojat tejet të mëdha për pulla postare në fillimet e shtetit shqiptar, Ministria e Postave  bëri zgjidhje shumë efektive e praktike.Brenda një periudhe tetëmujore, mars-dhjetor 1913, u emetuan gjashtë emisione pullash.