Tiranë, 4 maj 2013- Mjekësia Ligjore dhe ekspertët zbulojnë se 24-vjeçari është vrarë me thikë në zemër.
Policia: Arrestuam një 37-vjeçar për vrasjen e Ervin Merdinit.
“Aksidenti” me biçikletë, nga i cili humbi jetën një 24- vjeçar para 5 ditësh në Tiranë, rezultoi të ketë qenë vrasje me thikë. Madje, mbrëmjen e djeshme, Seksioni i Krimeve të Rënda ka arritur të arrestojë edhe autorin e vrasjes së Ervin Merdinit, edhe pse fillimisht Policia tha se ishte aksident. Burime nga grupi hetimor thanë mbrëmë se kanë arrestuar si autor të kësaj ngjarjeje 37-vjeçarin Nik Llakaj, i cili kishte pasur një sherr me viktimën, një javë para se ta vriste.
Policisë i janë dashur 4 ditë hetime intensive që të provojnë fillimisht nëse ngjarja ishte vrasje apo aksident, e më pas edhe të identifikojnë dhe të kapin autorin. Burimet thanë se ka qenë një raport i përbashkët i ekspertëve kriminalistë dhe mjekëve ligjorë, që pasi kryen autopsinë e 24-vjeçarit, konstatuan se ai ishte vrarë.
Të njëjtat burime thanë se Ervin Merdini ka ndërruar jetë nga një goditje në zemër me një mjet të mprehtë.
Gjatë ekzaminimit në Mjekësinë Ligjore, është konstatuar një e çarë e thellë, mes për mes aortës, nga një mjet me dy tehe të mprehta, e ngjashme me thikën.
Krahasimi i gjatësisë dhe formës së shufrës së hekurit që ndodhej në timonin e biçikletës, me thellësinë e plagës në zemër dhe trashësinë e saj, çoi ekspertët në përfundimin se plaga vdekjeprurëse nuk ishte shkaktuar nga ajo pjesë metalike.
/Panorama/





