TIRANE, 4 maj 2013- "Dua të kthehem në Shqipëri që ta kryej dënimin tim". Kjo është dëshira e të burgosurit shqiptar në burgun e Malandrinos në Greqi, Alket Rizai. Këtë gjë, ai e ka pohuar përmes një lidhjeje telefonike për "Gazetën Shqiptare", pak ditë pas publikimit të lajmit se shumë të dënuar shqiptarë jashtë Shqipërisë, do të kthehen që ta kryejnë dënimin në atdhe. 

Nëse iu referohemi lajmeve të publikuara së fundmi në mediat e shkruara, bëhet me dije se, një nga të dënuarit që do të kthehet në Shqipëri është edhe Alket Rizai. I kontaktuar nga Gazeta, ai është shprehur se nuk di gjë për transferimin e tij drejt Shqipërisë. 

"Nuk më ka thënë gjë askush për kthimin tim në Shqipëri. Unë nuk di gjë se pjesën tjetër të dënimit nuk do e kryej këtu ku jam", – pohon Rizai. Madje, ai thekson se ideja e kthimit të tij në atdhe është diçka e paarritshme dhe që nuk mund të realizohet. 

"Është diçka e pamundur, sepse unë kam ende shumë gjyqe që nuk i kam mbyllur këtu në Greqi. Unë mund të transferohem në Shqipëri për ta kryer dënimin tim, vetëm nëse mbyll gjyqet që kam këtu", – rrëfen i shumëpërfoluri Alket Rizai. 

Por, ai për asnjë moment nuk e fsheh dëshirën e madhe për t'u rikthyer në atdheun e tij. I pyetur nëse do të donte që pjesën tjetër ta kryente në vendin e tij, Rizai pohon: "Po më pyet nëse do i verbri sy? Padyshim që dua dhe është një nga gjërat që dua më shumë. Dua të kthehem në Shqipëri dhe për të gjitha çështjet që po gjykohem këtu në Greqi, të rigjykohem në Shqipëri", – thekson i dënuari në burgun e Malandrinos në Greqi, Alket Rizai. 

ARRATISJA

Lidhur me tentativën e fundit për t'u arratisur nga burgu ku kryen dënimin e tij, Alket Rizai pohon se ka qenë një veprim i gabuar i tij. Këtë gjë Rizai e thekson pas pyetjes nëse atij i ka shkuar në mendje ndonjë tjetër tentativë pengmarrjeje apo arratisjeje apo nga burgjet e Greqisë. "Jo, jo, nuk do arratisem më. Edhe herën e fundit që u arratisa, nuk mbaj mend gjë. Ishte diçka e gabuar, por isha nën efektin e drogës", – rrëfen për "GSH", Alket Rizai. Ndërkohë, pak kohë më parë, në një intervistë për emisionin "Me zemër të hapur", Rizai ka paralajmëruar se do të tentojë sërish që të arratiset, ashtu siç ka dënuar ashpër dhunën dhe keqtrajtimet që u bëhen shqiptarëve në burgjet e Greqisë. Alket Rizai akuzohet se ka kryer katër vrasje në shtetin helen, të cilat ai vetë nuk i pranon. "Jam i pafajshëm. Gjykata më ka nxjerrë të pafajshëm, më kanë dënuar qytetarët grekë. Asnjë dëshmitar nuk ka pohuar se kam qenë unë", – ka pohuar nga Greqia Rizai.

/BalkanWeb/