SHBA, 4 maj 2013– Raporti i mjekut ligjor në shtetit e Masaçusetsit thotë se Tamerlan Tsarnaev, i dyshuar për shpërthimet e Bostonit, vdiq nga plagët e marra në trup dhe në gjymtyrë si dhe nga trauma ekstreme.  

Dokumenti, i parë nga gazetarët të premten, thotë gjithashtu se i dyshuari u qëllua nga policia dhe u shtyp nga një makinë që e tërhoqi trupin zvarrë.

Raporti konfirmon deklaratat e policisë së Bostonit për ngjarjet e 19 prillit, kur 26 vjeçari Tamerlan Tsarnaev dhe vëllai i tij, 19-vjeçari Dzhokar Tsarnaev grabitën një makinë dhe tentuan t’i shpëtojnë policisë që po i ndiqte nga pas.

Autoritetet thonë se në atë kohë Tamerlani u plagos në shkëmbim zjarri dhe i vëllai i tij e shtypi me makinë, kur po përpiqej të largohej për t’i shpëtuar policisë.

Tamerlan Tsarnaev vdiq katër ditë pas shpërthimeve në Maratonën e Bostonit, nga e cila gjetën vdekjen tre vetë dhe u plagosën mbi 260 të tjerë.

Vëllai i tij është nën arrest dhe është akuzuar për përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë.