TIRANE, 3 maj 2013– Pas incidentit të ndodhur sot në Bashki këshilltarët e majtë kanë hyrë me forcë në ambientet e Këshillit Bashkiak dhe kanë votuar për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak dhe zëvendësimin e tij.
Me 31 vota pro ata kanë shkarkuar nga detyra kryetarin Njazi Kosovrastin dhe kanë zgjedhur Aldrin Dalipin si kryetar të ri të Këshillit Bashkiak.
Vendimi për shkarkimin e Kosovrastit dhe emërimin e Dalipit i është nisur për verifikim Prefektit të Tiranës.
Këshilltarët e majtë në Bashkinë e Tiranës kanë hyrë me forcë në ambientet e paradhomës së këshillit të Bashkisë, pas refuzimit të kërkesës për hapjen e derës së 31 këshilltarëve drejtuar kryebashkiakut Basha. Ata kanë shpartalluar derën e mbyllur të Bashkisë dhe më pas kanë hyrë brenda për të nisur mbledhjen.
Ashtu siç pritej, në mbledhjen e KB-së ndodheshin të pranishëm vetëm këshiIlltarët e Partisë Socialiste dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe mungonin këshilltarët e djathtë.
Mbledhja për zëvendësimin e Kosovrastit me Dalipin ishte parashikuar të mbahej sot në orën 11:00, por Bashkia mbylli dyert duke ndryshuar bravat gjatë orëve të natës. Veprim ky që sipas të majtëve u cilësua si bllokues për mbledhjen.





