KORCE, 3 maj 2013– Nëna dhe fëmija kanë një lidhje që e ndan vetëm vdekja. Kështu, vdekja e një nëne të re dje në Korçë ishte akti i fundit i një ndarjeje të padurueshme me fëmijën e saj. Martesa e dytë e Qamile Etemajt shkonte mirë, por e para i kishte hapur një plagë në zemër që e çoi drejt vetëvrasjes.
Vajza 22-vjeçare kishte një fëmijë nga martesa e parë, të cilin nuk arrinte ta takonte. Ndarja me fëmijën duket se ishte shkaku kryesor i vetëvrasjes së nënës së re, në fshatin Ravonik të Korçës. Të dhënat e para nga vendi i ngjarjes flisnin edhe për një letër të lënë nga viktima. Në letër shkruhej ndër të tjera: “Më fal! Më detyruan rrethanat, nuk mund të duroja më”. Ndërsa bashkëshorti i saj i ri, pasi ka mësuar vetëvrasjen e gruas, me të njëjtën armë ka dashur t’i japë fund jetës së tij, por për fat aty është gjendur menjëherë policia, duke evituar një tjetër tragjedi. 22-vjeçarja Qamile Etemaj nga Berati, e cila kishte rreth një vit që ishte martuar me A. Serjanin, është vetëvrarë me një pushkë brenda në ambientet e shtëpisë.
Ngjarja
Sipas policisë së Korçës, për këtë ngjarje informacioni ka mbërritur orëve të paradites së djeshme. Nga fqinjët e familjes ishte njoftuar se Qamile Etemaj 22-vjeçe, nga Uznova e Beratit, kishte vrarë veten me pushkë. Policia ka marrë në pyetje fqinjët e viktimës për të zbardhur shkaqet që kanë çuar nusen e re drejt këtij akti final, duke ngritur dyshimet e para se gjithçka ka ndodhur për shkak të varfërisë dhe mallit për fëmijën e lënë me bashkëshortin e parë. Sipas të dhënave, Qamile Etemaj kishte qenë e martuar më parë në Berat dhe nga kjo martesë ka një djalë. Por, rreth një vit më parë është martuar sërish, ndërkohë që fqinjët thonë se para një muaji kishte ardhur në fshat. Nga varfëria, çifti nuk kishte arritur të siguronte një banesë, kështu që jetonte në godinat e ish-repartit ushtarak pranë fshatit Ravonik, ku ishin munduar që të përshtatnin një dhomë të vetme si banesë. Megjithatë, siç tregojnë fqinjët, pavarësisht varfërisë, çifti kishte harmoni dhe nuk i kishin dëgjuar kurrë të kishin grindje me njëri-tjetrin, megjithëse ishin të papunë. Madje ditën e djeshme burri i saj kishte dalë në qytet me qëllim për të gjetur ndonjë orë pune krahu, por kur është kthyer ka gjetur pa jetë bashkëshorten e tij.
Policia
Menjëherë policia ka nisur hetimet në lidhje me shkaqet që kanë çuar 22- vjeçaren në vetëvrasje dhe personi i parë që është marrë në pyetje ka qenë pikërisht bashkëshorti i saj. Më pas janë siguruar edhe dëshmi të vlefshme të njerëzve që kishin njohje me çiftin e ri dhe policia ka arritur në konkluzionin paraprak se vetëvrasja mund të ketë ndodhur vetëm për shkak të mallit për të birin. Sipas policisë, bëhet me dije se banorët kanë treguar se gruaja kishte lënë edhe një letër, ku linte amanet të mos akuzonin burrin e saj për këtë akt të ndërmarrë, por letra mësohet se nuk është dokumentuar nga policia pasi bëhet me dije se nuk është gjetur. Policia ka pyetur bashkëshortin për këtë ngjarje të rëndë, i cili në kushtet e tronditjes së rëndë psikike, fajësonte veten për vetëvrasjen e të shoqes. Ai ka shpjeguar për policinë se bashkëshortja nuk kishte shfaqur shenja depresioni, pavarësisht se shpesh qanin hallet bashkë dhe ende nuk kishin vendosur të bënin fëmijë për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. Pas dëshmisë, bashkëshorti i viktimës A. Serjani është lënë i lirë, ndërkohë që mësohet se në orët e vona ka tërhequr nga morgu trupin e pajetë të gruas së tij.
/Shekulli/





