TIRANE, 3 maj 2013– "Gazetarë, analistë, botues, pronarë dhe punonjës të mediave, gëzuar ditën e lirisë tuaj’!. Kështu e nis urimin e tij me rastin e ditës së lirisë së shtypit, Kryeministri Sali Berisha.

"Sot njerëzit e lirë në mbarë botën nderojnë me vlerësimin më të madh mediat, punonjësit e tyre, rolin e tyre si pushtet i katërt, pa të cilin nuk ka demokraci. Duke bashkuar zërin tim me protestën dhe kërkesat e drejta të mediave shqiptare këtë ditë, unë dua t'i garantoj ato se mbetem një mik i vërtetë i tyre, që çmoj dhe admiroj rolin e tyre të pazëvendësueshëm dhe thelbësor në një shoqëri të lirë dhe se do bëj gjithçka që liria e tyre të bëhet çështje e lirisë së çdo shqiptari", shkruan Kreu i Qeverisë në faqen e tij në "Facebook". 

"Unë gjithashtu dua të përulem me nderim të madh para atyre gazetarëve, kameramanëve, kronistëve, që u martirizuan këtë vit në zona të nxehta të planetit për të informuar botën mbi zhvillimet e ethshme. Edhe njëherë, gëzuar ditën e lirisë së shtypit, ditën e fjalës së lirë!", shkruan Kryeministri Berisha.