TIRANE, 3 maj 2013– Këshilli i Lartë i Drejtësisë është mbledhur sot për të diskutuar për gjykatën administrative.
Presidenti Bujar Nishani paralajmëroi penalizime të ashpra për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët të cilët do të shkelin ligjin dhe do të cënojnë qytetarët.
Në mbledhjen e rradhës së KLD-së, ai kërkoi monitorime të kujdesshme për vendimet gjyqësore si dhe ndërtimi i një portal për ankesat e qytetarëve.
"Ndaj me opinionin publik këtë vlerësim të KLD. Mbështesim punën e gjyqtarëve tanë, inkurajojmë profesionalizmin, nxisim integritetin, dhe nga ana tjetër do jemi qenë monitorues të kujdesshëm, gjykues të drejtë dhe penalizues të ashpër kur të vëmë re vendime në kundërshtim me ligjin, që cënojnë qytetarët, pavarësisht motiveve që i shtyjnë këta gjyqtarë të marrin këto vendime", u shpreh Nishani.
Sipas presidentit, ndryshimet në kodin penal do ti presin rrugën abuzimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve abuzues. Ai premtoi mbeshtetje dhe inkurajim për gjyqtarët me integritet.
"Ne jemi të bindur se sistemi ynë i gjyqësorit dominohet nga njerëz me integritet të lartë, profesionalistë që kanë nevojë për mbështetje dhe inkurajim. Por ndërhyrjet në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale janë një hap për të ngushtuar maksimalisht abuzimet e bëra nga gjyqtarë apo prokurorë", u shpreh ai.
Në mbledhjen e KLD-së, u vlerësua edhe procedura e ndjekur për konkurimin e gjyqtarëve administrative. Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, e vlerësoi këtë procedurë si më legjitimen dhe më transparenten që do të rrisë besimin e vetë gjyqtarëve te sistemi.





